Hashani shpjegon se për çka shërbejnë tri vaksinat e reja tek fëmijët

10:03 | 30 Tetor 2023
hashani-shpjegon-se-per-cka-sherbejne-tri-vaksinat-e-reja-tek-femijet


Nga tetori i këtij viti kalendarit të vaksinimit të fëmijëve u janë shtuar edhe tri vaksina të reja.

Kryeshefi i departamentit të Mjekësisë Familjare, Valdet Hashani, tha se me vendosjen e këtyre  vaksinave, Kalendari i vaksinave të obligueshme të fëmijëve në Kosovë i përafrohet kalendarit Evropian.

“Kosova përmes IKSHPK-së, e ka zgjeruar lepezën e vaksinave të kalendarit të vaksinimit te fëmijët nëpërmjet tri vaksinave të reja që është vaksina për humanpapilloma virusin, pneumokokun dhe vaksinat për rotavirusin. Në fakt dy vaksinat e fundit kanë filluar aplikimin dhe po aplikohen ashtu siç është e paraparë edhe nëpërmjet kalendarit të vaksinimit ndërsa vaksina humanpapilloma do të fillojë nga janari i vitit të ardhshëm”, ka thënë ai.

Kurse, ka shpjeguar veç e veç se për çka shërbejnë këto tri lloje të vaksinave.

“Humanpapilloma virus është një infeksion i cili shkakton karcinomën e qafës së mitrës dhe kjo vaksinë e cila do të aplikohet nga janari i vitit të ardhshëm do të pengojë ose do të ndalojë përhapjen e kancerit të qafës së mitrës tek vajzat andaj edhe aplikimi i vaksinës do të ndodhë tek vajzat 9 vjeçare dhe kur paramendohet që nuk kemi fillim të aktivitet seksual tek vajzat”, ka thënë ai.

Për vaksinën e pneumokokut ka pohuar se mbron fëmijët deri në moshën një vjeç.

“Ndërsa, sa i përket vaksinës së pneumokokut është vaksinë e cila mbron fëmijët që janë deri në një vjet, jepet në tri doza, do të thotë dy muaj, katër muaj dhe në një vjet dhe është vaksinë e cila e pengon përhapjen e një agjenti të një mikroorganizmi i cili shkakton komplikime jashtëzakonisht të mëdha në mushkëri”, ka shtuar Hashani

Ndërsa, rotavirusi është vaksinë e cila jepet nëpërmjet pikave, jepet në formën siç thith fëmija, jepet në mënyrë shumë të ngadalshme dhe me qëllim të mos vjellët, sepse nëse fëmija e vjell nuk rekomandohet që të jepet prapë dhe përmes kësaj i mbrojmë fëmijët nga barkqitjet./Front Online

Komento: