Hashim Thaҫi e ‘rehaton’ djalin e vëllaut me këtë punë

19:23 | 28 July 2019

Hashim Thaҫi duket se e ka ‘rehatuar’ edhe djalin e vëllaut me një punë.

Korporata Energjetike e Kosovës, ndërmarrje që udhëhiqet nga kushëriri i presidentit Hashim Thaçi, Njazi Thaçi, nuk ka mbetur me vetëm një përfaqësues të kësaj familjeje.

Aty, në pozitën e koordinatorit në Zyrën e Pajtueshmërisë Institucionale dhe Organizative, punon edhe Veton Thaçi, djali i njërit prej vëllezërve të presidentit Thaçi.

Gjithashtu si zyrtare e lartë e Prokurimit, gjithnjë sipas burimeve të KTV-së, në KEK është punësuar edhe Shqipe Qelaj, e martuar për vëllanë e drejtorit menaxhues të KEK-ut, Njazi Thaçi.

I kontaktuar nga KTV-ja, drejtori Thaçi nuk ka dashur të flasë për këtë temë nën arsyetimin se nuk ka njohuri dhe ndodhet në pushim, duke rekomanduar që të priten përgjigjet nga Departamenti për Media i KEK-ut.

Ky departament, për Veton Thaçin, thotë se i kishte plotësuar kushtet në konkursin e marsit të vitit 2012, e kishte filluar punën në mes të po atij viti.

Në mesin e të pranuarve në punë nga konkursi i shpallur në 10 shkurt të vitit 2017, ishte edhe Shqipe Qelaj, gruaja e vëllait të drejtorit menaxhues, që i kishte plotësuar kushtet e kërkuara.

Thaçi, para ardhjes në pozitën e drejtorit menaxhues të Korporatës Energjetike të Kosovës, për një kohë ishte edhe përgjegjës për prokurimin në këtë ndërmarrje.

Të shtunën televizioni publikoi emrat e disa zyrtarëve të PDK-së dhe familjarë të zyrtarëve të afërt me presidentit Thaçi e që ishin punësuar në korporatë.

Komento: