Hashim Thaçi e Kadri Veseli në listën e të dyshuarve të Gjykatës Speciale

19:09 | 18 April 2019

Gjykata Speciale do të ngre aktakuzë ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.

Një zyrtar i lartë i Tribunalit Special i ka thënë Gazetës Express se aktakuzat e para do të ngrihen për privimin nga jeta te shqiptarëve pas luftës.

Sipas këtij burimi, Gjykata Speciale mund të quhet “shteti në gjyq” sepse me materialin që ka, do të akuzohen edhe presidenti Thaçi e Kadri Veseli. Gjykata ka siguruar shumë dëshmitar dhe prova në të cilat i bazon akuzat

Deri më tash, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka intervistuar rreth 100 persona, në cilësinë e të dyshuarve dhe të dëshmitarëve, ndërsa kjo zyrë planifikon t’i intervistojë edhe 300 të tjerë përpara se të bëjë gati aktakuzat e para.

Një burim shumë i lartë brenda Tribunalit Special i ka thënë Gazetës Express se në listën e të dyshuarve janë edhe Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari Kadri Veseli.

Gjatë një bisede të zhvilluar në një nga vendet e BE’së, ky burim, që nuk ka dashur të identifikohet, ka thënë se aktakuzat e para ngrihen për vrasjet e pasluftës ndaj shqiptarëve.

“Aktakuzat e para do të jenë për vrasjet e pasluftës, për krime ndaj shqiptareve”.

Ai thotë se krerët shtetërorë do të jenë të akuzuarit e Speciales dhe për këtë, Gjykata ka mbledhur dëshmitarë, videoincizime e prova të tjera.

“Nga ajo çfarë sot posedon prokuroria do te ketë aktakuzë ndaj Thaçit dhe Veselit, Rexhep Selimit, Daut Haradinajt, Sami Lushtakut, Azem Syles, e shumë figurave të tjera të luftës”, ka thënë tutje burimi.

Sipas këtij zyrtari, nga puna e deritanishme e Tribunalit, kanë parë se “Krerët kryesore te UCK’së po frikësohen nga njëri-tjetri”.

Ai tregon se aktakuzat ngrihen vetëm pasi të kompletohet mozaiku, por edhe që Tribunali është në dijeni për personat që janë munduar ta pengojnë drejtësinë, e kjo mund të sjell befasi gjatë javëve në vijim.

Komento: