Hashim Thaçi emocionon me rrëfimin për takimin e fundit me babanë: “Nuk e imagjinoja që kjo të ndodhte në Evropën e shekullit XXI”

22:45 | 14 Maj 2026
hashim-thaci-emocionon-me-rrefimin-per-takimin-e-fundit-me-babane:-“nuk-e-imagjinoja-qe-kjo-te-ndodhte-ne-evropen-e-shekullit-xxi”

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ndarë një rrëfim prekës për takimin dhe ndarjen e fundit me babanë e tij, duke e cilësuar gjithë përvojën si të pabesueshme për një shtet evropian në kohët moderne.

Thaçi në intervistën ekskluzive në “Adresa ” me Arben Ahmetin në Kanal 10, ka thënë se gjatë kthimit në Prishtinë për t’i dhënë lamtumirën e fundit babait të tij, nuk mund ta besonte se një situatë e tillë po ndodhte në Evropën e shekullit XXI.

“Duke u kthyer në Prishtinë, për t’i thënë lamtumirë babait, nuk mund të imagjinoja se një gjë e tillë mund të ndodhte në shekullin XXI, në kontinentin evropian, ku e drejta bazë njerëzore po trajtohej si çështje konspirative, paragjykuese apo teknike”, ka shkruar Thaçi.

Ai ka krahasuar përvojën e tij me rrëfimet historike të figurave botërore që kishin kaluar izolim dhe padrejtësi politike.

“Fenomene të tilla kisha memorizuar edhe nga kujtimet e nobelistit Aleksandr Solzhenitsyn në ish-BRSS, si dhe nga jeta sfiduese e Nelson Mandela në ishullin Robben gjatë përballjes me aparteidin në Afrikën e Jugut”, është shprehur ai.

Thaçi ka reflektuar edhe për jetën dhe humbjen e babait të tij, duke thënë se ajo përvojë ia forcoi bindjen për kuptimin e jetës.

“Ndarja nga jeta e babait më forcoi kuptimin edhe më tepër se jeta është art, të cilës duhet t’i japësh sa më shumë kuptim, karakter, dinamizëm dhe ngjyra”, ka deklaruar ai.

Në fund, ai e ka përshkruar lamtumirën me babanë si të qetë dhe të ndritur.

“Babai i dha familjes dhe botës që jetoi gjithçka që mund t’i jepte. Lamtumira e tij ishte e qetë dhe e përndritur”, ka përfunduar Thaçi. /GAZETA10/

Komento: