Duket se Hashim Thaҫit po i ‘luhatet’ karrigeja e pozitës së Presidentit.
LDK ia kishte mundësuar tre vite më parë Hashim Thaçit që të ulej në pozitën e presidentit të Kosovës, pas një marrëveshje për koalicion që kishin bërë kur Isa Mustafa vendosi që të ikte nga VLAN-i.
Tash kur zgjedhjet janë afër, lideri i rizgjedhur i Lidhjes Demokratike Isa Mustafa po i shpreh haptas ambiciet për t’u ulur në karrigen e Presidentit.
Ai ka thënë se marrëveshja për koalicion do ta implikojë edhe pazarin për kreun e shtetit.
Në vitin 2014-të në skenën politike ishte krijuar një bosht që synonte të krijonte një koalicion pas zgjedhor me qëllim që të nxirrej nga loja e pushtetit Partia Demokratike e Kosovës.
Vetëvendosje, LDK, AAK e Nisma, ishin bashkuar në një bllok në përpjekje për ta larguar nga qeverisja PDK’në, që pati dalë si partia e parë.
Ishte bërë e ditur se prapa marrëveshjes VLAN qëndronin disa pozita që ishin paraparë për liderët.
Ramush Haradinaj synonte të bëhej kryeministër e Isa Mustafa njëherë krye parlamentar e më vonë president i shtetit, poste të rëndësishme do të merrnin edhe nga VV e Nisma.
Mirëpo, zgjedhja e Mustafës në krye të Kuvendit, pa PDK-në në sallë, doli që ishte ndesh me Kushtetutën e Kosovës. PDK-së, si parti e parë e dalë nga zgjedhjet i takonte kjo pozitë.
Përpjekjet e bllokut VLAN kishin zgjatur muaj të tërë, deri kur Mustafa vendosi që t’i shkonte Hashim Thaçit, atëherë kryetar i PDK-së përkrah në Qeveri.
PDK kishte hequr dorë nga pozita e kryeministrit, duke bërë që Isa Mustafa të emërohej në atë post, e Hashim Thaçi mori për dy vite postin e Ministrit të Punëve të Jashtme. Kështu i kishin ndarë në proporcion edhe ministritë.
Krejt kjo marrëveshje kishte pasur si prapavijë edhe një dakordim që do të vinte në jetë dy vite më vonë. Hashim Thaçi do të zgjedhej president i vendit. Ashtu edhe ndodhi.
Me tensione, protesta, gaz lotsjellës e nën masa të rrepta të sigurisë, Hashim Thaçi u votua atëherë President i Republikës së Kosovës.
Një skenar i njëjtë si ai që ia mundësoi Thaçit pozitën e presidentit mund të përsëritet tash kur të njëjtën ambicie e ka shfaqur edhe publikisht lideri i LDK-së, Isa Mustafa.
Lideri i rizgjedhur i LDK-së, Isa Mustafa ka shprehur në Pressing të Televizionit T7 haptas ambiciet që ka për këtë pozitë.
“Po tash meqenëse po e shtron këtë çështje, unë po them që e kam të vështirë me të dhënë përgjigjen, po gjitha këto themi nuk bëhen vetëm mbi bazën e ambicieve bëhen në bazë të marrëveshjeve politike. Ne kur e bëjmë koalicionin qeverisës në koalicion themi se dikujt çdo njerëzit i takon diçka, duhet të parashikohet domosdoshmërish, sepse nëse LDK e kërkon kryeministrin, atëherë dikush e kërkon presidentin, dikush krye parlamentarin, dikush zëvendëskryeministrin, dikush një pozicion tjetër, e këto janë çështje që nuk do të varen prej dëshirave individuale, sepse unë do të dëshiroja do të thotë s’ka njeri që nuk dëshiron ta ketë këtë pozitë në vend edhe ta ushtroj, është nder shumë i madh për çdo njërin që vjen aty pastaj është edhe përgjegjësi mirëpo është çështje që gjithsesi duhet t’i respektoj disa marrëveshje sepse na s’jemi asnjë parti aq e madhe që domosdoshmërish mund t’i kapësh dy apo tri pozita e tjerët asgjë, ka thënë Mustafa në T7.
LDK po thotë se në këto zgjedhje kanë ambicie që të shkojnë vetëm, derisa së bashku me VV-në gjatë gjithë qeverisjes së Ramush Haradinaj kritikuan ashpër vendimet që merreshin.