Çka thotë Peci për mundësinë që Avdyli të bëhet ministër.
Bashkëkryetari i Partisë “Guxo”, Faton Peci ka folur për mundësinë e propozimit të deputetit të kësaj partie, Haxhi Avdyli për pozitën e ministrit të Shëndetësisë.
Ai për Klan Kosovën është shprehur se partia e tij e vlerëson personalitetin e Haxhi Avdylit.
“Partneriteti ynë me VV-në është shumë i shëndoshë, i bazuar në besimin e ndjërsjelltë, ne kemi pasur edhe një marrëveshje fillestare dhe mendoj që duhet të interpretohet në mënyrën e drejtë. Deputetët kanë edhe të drejtën legjitime që të shprehin mendimin e tyre”.
“Megjithatë në çështje të negociatave dhe partneritetit ne jemi shumë të kujdesshëm dhe e respektojmë në maksimum dhe kemi besim e mirëkuptim me partnerin tonë, që nënkupton që ne kemi një formulë bashkëqeverisje të dakordësuar në fillim të mandatit, mirëpo zërat brenda partisë “Guxo” që e vlerësojnë personalitetin e Dr. Haxhi Avdyli menoj që janë normale, por si do që të jetë, thjeshtë edhe në prononcimin që bashkëkryetarja Donika Gërvalla ka pasur në njërën prej prezantimeve, e ka thënë shumë qartë se ne kemi besim dhe vlerësim për personalitetin e Dr. Haxhi Avdylit”, u shpreh ai.
Ai u shpreh se kjo nuk duhet të merret si kërkesë me çdo kusht, por siç tha ai është thjeshtë shprehje e mendimit dhe bindjeve të “Guxo-s”, tha tutje ai.
“Por , si do që të jetë ofrimi eventual i emrit të tij për Ministër të Shëndetësisë, vie në rrethana që thjeshtë në rast se Vetëvendosja kërkon që të kemi edhe një opinion, ose në rast se kanë vështirësi në përzgjedhjen e ndonjërit prej emrave që ka besimin e Vetëvendosjes. Personalitetin e Haxhi Avdylit e vlerësojnë në “Guxo”, por kjo nuk nënkupton as nuk duhet të merret si kërkesë me çdo kusht, thjeshtë është shprehje e mendimit dhe bindjeve të “Guxo-s”, u shpreh tutje ai.
Ndryshe, Rifat Latifi të enjten e 6 tetorit dha dorëheqja nga pozita e Ministrit të Shëndetësisë.
“Me zhgënjim të thellë dhe keqardhje, pas shumë reflektimesh për disa muajt e fundit, po ju informoj se në mënyrë efektive ju ofroj dorëheqjen time nga posti i ministrit të Shëndetësisë të Republikës së Kosovës, që nga sot me datën 6 tetor 2022”, thuhej në letrën e dorëheqjes së tij.