
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se ka dekretuar Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes.
Përveç këtij ligji, Haxhiu ka bërë me dije se ka dekretuar edhe ligjin për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, si dhe ligjet që lidhen me marrëveshjet financiare me Bashkimin Evropian dhe Agjencinë Franceze për Zhvillim.
“Kam dekretuar shpalljen e një sërë ligjesh të rëndësishme për qytetarët dhe për Republikën. Disa prej tyre lidhen drejtpërdrejt me jetën e përditshme, me banimin social dhe të përballueshëm, kujdesin shëndetësor, shtetësinë, shërbimet e pagesave, resurset ujore dhe maturën shtetërore. Po ashtu, kam dekretuar ligjin për ratifikimin e marrëveshjes për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Bordin e Paqes, ligjin për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, si dhe ligjet që lidhen me marrëveshjet financiare me Bashkimin Evropian dhe Agjencinë Franceze për Zhvillim. Ligjet marrin peshë kur shndërrohen në shërbim për qytetarin dhe në forcim të Republikës”, ka shkruar Haxhiu.
Kuvendi ka ratifikuar Projektligjin për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes më 24 prill.
Marrëveshja ishte ratifikuar me 103 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Më 19 shkurt, ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mori pjesë në takimin inaugurues të Bordit të Paqes në Washington, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në këtë takim, Osmani bëri të ditur se Kosova është në mesin e pesë shteteve të para që janë zotuar për dërgimin e trupave paqeruajtëse në kuadër të një force të përbashkët ndërkombëtare për sigurinë në Gazë, duke theksuar se vendi nuk do të kontribuojë financiarisht.
Kuvendi i Kosovës tashmë e ka miratuar vendimin e Qeverisë për dërgimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Gaza, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.