Haxhiu: Ftesa për Kurtin nga Specialja nuk është ndonjë befasi, ai duhet të përgjigjet

18:08 | 12 December 2024
haxhiu:-ftesa-per-kurtin-nga-specialja-nuk-eshte-ndonje-befasi,-ai-duhet-te-pergjigjet


Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka komentuar ftesën e Prokurorisë Speciale për kryeministrin Albin Kurti. Ai ka thënë se ftesa për Kurtin, për t’u paraqitur si dëshmitar, nuk është një surprizë për të, pasi, sipas tij, kjo qeverisje ka pasur shumë afera korruptive gjatë mandatit të saj.

‘’Ftesa e Kurtit ishte një ftesë si dëshmitar nga Prokuroria e Kosovës, nuk është ndonjë befasi për mua, sepse kjo qeverisje me shumë afera korruptive përgjatë këtij mandati 4 vjeçar’’, tha Haxhiu për FrontOnline.

Haxhiu ka përmendur një rast ku Kurti, si kryeministër, ka nënshkruar një vendim për të shmangur procedurat e tenderimit për blerjen e rezervave shtetërore, duke i dhënë 10 milionë euro Ridvan Muharremit, një miku të tij. Ai ka thënë se këto rezerva shtetërore nuk janë dërguar në Kosovë, dhe për këtë arsye, Prokuroria ka dyshime dhe duhet të intervistojë për këtë çështje.

‘’Unë  potencova edhe më herët që kur një kryeministër nënshkruan vendimin për t’iu shmangur procedurave të tenderimit për blerjen e rezervave shtetërore e i jepen 10 milionë euro Ridvan Muharremit , mik I kryeministrit që t’i siguroj ato rezerva shtetërore. Pasi që rezervat shtetërore nuk vinë në Kosovë, atëherë duhet të intervistohet nga prokuroria për cilësitë për të cilat dyshon Prokuroria’’, tha tutje deputeti Haxhiu.

Haxhiu ka theksuar se Kryeministri Kurti nëse nuk u përgjigjet  kërkesave të institucioneve të drejtësisë do ta  dëmtojë sistemin kushtetues dhe ligjor të Kosovës. Ai ka nënvizuar se të gjithë, pavarësisht pozitave që mbajnë, kanë obligim t’u përgjigjen institucioneve të drejtësisë, sepse pozita udhëheqëse nuk amniston nga llogaridhënia.

‘’Nëse instititucionve të drejtësisë Kurti nuk u përgjigjet, atëherë ai përpiqet ta rrënojë sistemin kushtetues dhe ligjor të Kosovës. Të gjithë  kanë obligim t’i përgjigjen institucioneve të drejtësisë, pavarësisht pozitave,, sepse pozita udhëheqëse nuk amniston nga llogaridhënia’’, përfundoi Haxhiu.

Komento: