Haxhiu: Instituti për Krimet e Kryera në Kosovë, armë e fortë kundër mohimit të historisë sonë

14:08 | 23 December 2024
haxhiu:-instituti-per-krimet-e-kryera-ne-kosove,-arme-e-forte-kunder-mohimit-te-historise-sone

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka folur rreth themelimit të Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës së Fundit në Kosovë.

Ministrja, në një konferencë për media tha se nga materiali që është mbledhur që një vit në këtë institut, e bën atë një armë të fuqishme kundër mohimit dhe manipulimit të historisë se Kosovës, apo tendencave për të manipuluar historinë.

“Siç jeni në dijeni, një nga prioritetet e qeverisë për drejtësinë ka qenë drejtësia tranzicionale, dhe adresimi i krimeve të kryera në Kosovë dhe vlerave të mbrojtura me të drejtën ndërkombëtare. Gjatë kësaj periudhe qeverisëse kemi ndërmarrë veprime të shumta, dhe janë bërë hapa të rëndësishëm për të ndërtuar themelet e një procesi të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës që synon të zbardh të vërtetën e krimeve të luftës të kryera nga Serbia në Kosovë, si dhe të ofroj drejtësi për viktimat”, tha Haxhiu.

“Në këtë drejtim për katër vjet me radhë ne kemi punuar me përkushtim të plotë për të institucionalizuar kujtesën kolektive dhe për tu kujdesur se dëshmitë e krimeve të luftës të ruhen dhe po ashtu të iu transmetohen brezave të ardhshëm. Dhe me bindje të plotë sot mund të ju them se kemi shënuar rezultate të rëndësishme, por po ashtu të prekshme. Fillimisht kemi themeluar dhe funksionalizuar Institutin për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë. Ky instituti është funksionalizuar më 10 nëntor të vitit 2023, dhe e konsiderojmë që është një arritje për të cilën jemi krenarë dhe kemi punuar shumë”.

“Instituti i funksionalizuar tashmë veç tjerash ka për qëllim dokumentimin e krimeve të luftës së fundit në Kosovë, krimeve kundër njerëzimit dhe veprimeve gjenocidale nga Serbia. Para disa ditëve instituti ka publikuar raportin njëvjeçar të punës, ku ka treguar progres për një kohë tepër të shkurtër, dhe mes tjerash është mbledhur një sasi e konsiderueshme e materialeve që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Materialet e dokumentuara janë mbledhur nga 67 burime të ndryshme”, u shpreh ajo tutje.

“Ky dokumentacion është armë e fuqishme kundër mohimit dhe manipulimit të historisë tonë apo tendencave për të manipuluar historinë”.

Ajo shton se me themelimin e këtij instituti tregohet vendosmëria e qeverisë për të mos lejuar harresën, e për të siguruar se e vërteta do të dalë në dritë.

“Themelimi i institutit tregon vendosmërinë tonë për të mos lejuar harresën, dhe për të siguruar që e vërteta të dalë në dritë”, u shpreh ministrja.

Komento: