
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se rasti Dehari është duke u trajtuar nga Prokuroria Speciale.
Haxhiu ka thënë se kanë të bëjnë më shkelje të rëndë të detyrave të personave zyrtarë atë ditë.
Haxhiu, në seancën e Kuvendit, thotë se nga zyrtarët e ministrisë i është thënë se kamerat e sigurisë në ditën kritike janë marrë para policisë dhe kjo me urdhër të ish-ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha.
Mes tjerash, Haxhiu thotë se Prokuroria Speciale që tashmë e ka në dorë rastin duhet të hetojë më shumë rreth shkeljeve që kanë bërë personat përgjegjës atë ditë dhe të hetohet përfshirja e ish-ministres Hoxha.
“Kamerat janë marrë para se Policia t’i shihte. Personat duhet të përgjigjen se pse e kanë bërë këtë dhe a është e vërtetë që e ka urdhëruar ish-ministrja Dhurata Hoxha. Kryeinspektori që është suspenduar dje, nuk e pranon që e ka shkruar të raport, prandaj duhet të vërtetohet se nëse nuk e ka nënshkruar ai, kush e ka falsifikuar nënshkrimin dhe pse. Ka pasur edhe shkelje për ndryshim të deklaratave”, ka thënë ajo.
Haxhiu ka thënë se një sulm që ishte bërë në Kuvendin e Kosovës i ishte veshur aktivistëve të Vetëvendosjes.