Haxhiu: Kosovës duhet t’i hapet rruga drejt negociatave për anëtarësim në BE

10:55 | 07 Korrik 2026
haxhiu:-kosoves-duhet-t’i-hapet-rruga-drejt-negociatave-per-anetaresim-ne-be

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim eurodeputetin Riho Terras, raportues i përhershëm i Parlamentit Evropian për Kosovën.

Haxhiu e falënderoi Terras për angazhimin dhe mbështetjen e tij ndaj perspektivës evropiane të Kosovës. Ajo theksoi se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet të trajtohet pa vonesa të mëtejshme dhe se përparimi i vendit duhet të vlerësohet mbi bazën e meritave.

Sipas Haxhiut, Kosova nuk kërkon përjashtim nga kriteret, por një proces të drejtë, i cili do t’i hapte rrugën marrjes së statusit të vendit kandidat dhe fillimit të negociatave për anëtarësim.

U.D. Presidentja Haxhiu paraqiti përparimin e Kosovës në reformat evropiane, sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik, si dhe bashkëpunimin e ngushtë me institucionet e Bashkimit Evropian. Ajo vuri në pah se orientimi euroatlantik i Kosovës është i qartë, i qëndrueshëm dhe gëzon mbështetje të gjerë qytetare.

Haxhiu foli edhe për dialogun me Serbinë, çështjet e sigurisë dhe mungesën e përgjegjësisë për sulmin terrorist në Banjskë. Ajo theksoi se procesi evropian duhet të mbështetet në zbatimin e marrëveshjeve dhe në përgjegjësi të barabartë për të gjitha palët.

Komento: