
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar viktimat e masakrave në Krushë të Madhe dhe Krushë të Vogël, duke theksuar se dhimbja dhe mungesa vazhdojnë edhe 27 vjet pas ngjarjeve tragjike.
Në një postim, ajo rikujtoi se brenda pak orësh dhe ditësh u vranë qindra civilë të pafajshëm.
“Sot, 27 vjet më pas, Krusha flet ende me dhimbje dhe mungesë. Brenda pak orësh dhe ditësh u morën jetët e 354 civilëve të paarmatosur shqiptarë në Krushë të Madhe dhe Krushë të Vogël, ndërkohë që 124 banorë nga këto dy fshatra u zhdukën me dhunë dhe vazhdojnë të mungojnë”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo bëri të ditur se është kthyer për rivarrim një nga viktimat e zhdukura gjatë luftës.
“Sot u kthye Ajvaz Shehu, vetëm 15 vjeç atëherë, për t’u prehur me dinjitet në tokën e tij. Ky kthim lehtëson dhimbjen e një familjeje, por na kujton se kjo histori nuk është mbyllur”, u shpreh ajo.
Haxhiu theksoi se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë kërkimin për drejtësi për krimet e kryera gjatë luftës.
“Ne nuk harrojmë dhe as nuk ndalemi së kërkuari drejtësi për këto krime gjenocidale të Serbisë. Institucionet tona, që në themel kanë gjakun e dëshmorëve dhe martirëve, do të nderojnë përjetësisht kujtimin e tyre. Lavdi të rënëve për lirinë e Kosovës”, shtoi ajo.