Haxhiu kujton heroin Agron Rrahmani në 28-vjetorin e rënies

14:00 | 12 Maj 2026
haxhiu-kujton-heroin-agron-rrahmani-ne-28-vjetorin-e-renies

Ushtruesja e detyrës së presidentes së vendit, Albulena Haxhiu ka kujtuar në 28-vjetorin e rënies së tij heroin Agron Rrahmanin.

Përmes, një postimi në profilin e saj në rrjetin social Facebook, haxhiu ka shkruar se Agron Rrahmani ishte luftëtar i guximshëm, por më shumë se kaq ishte edhe njeri i organizimit ushtarak në qytet.

Postimi i saj i plotë:

Në 28-vjetorin e rënies, e kujtojmë me nderim Heroin e Kombit Agron Rrahmanin. Qysh i ri, nga Ballofci i Besianës deri në Prishtinë, ai u dallua për veprimtari atdhetare. Aktivitetin e tij e nisi herët si gjimnazist në Besianë, dhe më vonë e vazhdoi në ilegalitet, në Prishtinë, në Tiranë, në Tetovë e në shumë vise të tjera, ai u bë një nga njerëzit e veprimit të përditshëm.

Agroni me shokë mori përsipër punë që nuk dukeshin gjithmonë para syve të njerëzve, por pa të cilat lufta nuk mund të ecte: organizim, lëvizje, përgatitje, lidhje mes njerëzve dhe besim të plotë  se Kosova duhej të çlirohej.

Agron Rrahmani ishte luftëtar i guximshëm, por më shumë se kaq ishte edhe njeri i organizimit ushtarak në qytet. Para se të merrte drejtimin e njësitit “Rexhep Mala” në Prishtinë, ai kishte marrë përsipër përgatitjen luftarake të anëtarëve të LKÇK-së dhe të vullnetarëve, si dhe kishte ndihmuar në ngritjen e qendrës stërvitore në Tiranë, ku u përgatitën mbi 300 vullnetarë.

Në shkurt të vitit 1998, ai u caktua komandant i njësitit të parë ilegal luftarak në Prishtinë, njësit që mori emrin “Rexhep Mala”.

Agroni ra heroikisht me 12 maj 1998. Ajo ishte javë e kobshme për luftën tonë dhe një nga goditjet më të rënda të organizimit të hershëm të luftës çlirimtare. Para rënies së tij, kishte rënë me 7 maj Bahri Fazliu dhe me 9 maj Ilir Konushevci.

Lavdi e përjetshme heroit Agron Rrahmai dhe të gjithë heronjëve dhe dëshmorëve të kombit!

Komento: