
Dhuna seksuale gjatë luftës ishte një krim që u mbajtë shumë kohë në heshtje.
Kështu ka deklaruar ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Eliminimit të Dhunës Seksuale në Konflikt.
“Në Kosovën e pasluftës shumë gjëra u numëruan: shtëpitë e djegura, masakrat, njerëzit e vrarë, të pagjeturit, dëmet, varret, kolonat e gjata. U numërua ajo që shihej. Por ajo që kishte mbetur brenda njeriut mbeti pa emër dhe pa vend në rrëfimin tonë publik.
Dhuna seksuale gjatë luftës ishte një prej krimeve që u mbajt shumë gjatë në heshtje. U bë strehë për një dhimbje që njeriu e mban në vete edhe kur mbaron lufta. Për këtë krim fjala emërton, ngase rrethohej me shumë frikë, shumë turp dhe shumë gjykim. Për këtë arsye sot duhet të flasim me shumë kujdes.
Rrëfimi u takon personave të dhunuar gjatë luftës. Ne jemi këtu për ta bërë të qartë se Republika e Kosovës, Republika jonë u borxh njohje, drejtësi dhe kujdes shtetëror”, tha Haxhiu.
Ajo tha se krimet seksuale synonin jo vetëm trupin dhe njeriun por ndjenjën e sigurisë të një shoqërie të tërë.
“Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale na kujton se dhuna seksuale gjatë luftës nuk ishte pasoja anësore e luftës. Ishte krim që synonte jo vetëm trupin dhe njeriun, por edhe familjen, bashkësinë, por edhe vetë ndjenjën e sigurisë të një shoqërie të tërë. Prandaj dua të theksoj se turpi nuk u takon personave të dhunuar gjatë luftës, të dhunuar seksualisht gjatë luftës. Si i përket krimit dhe atyre që e kryen krimin, atyre që urdhëruan dhe atyre që e mohuan. E ata që e kryen këtë krim dhe urdhëruan, duhet të ndëshkohen nga sistemi ynë i drejtësisë.
Në këtë drejtim shumë pak është bërë pas përfundimit të luftës. Fatkeqësisht, misionet ndërkombëtare që erdhën në Kosovë me këtë qëllim asnjëherë nuk u morën seriozisht me adresimin e krimeve që Serbia i ka bërë në vendin tonë. Këtë e kam thënë edhe më herët, po e përsëris sërish: asnjë prej misioneve që kishin ardhur që të merren me krimet e luftës, në fakt nuk ishin marrë me krimet e luftës.
Vitet e fundit, unë besoj pajtohemi që ka pasur përparime në këtë drejtim, ndonëse kaq shumë krime janë bërë nga Serbia në Kosovë sa që edhe veprimet që janë ndërmarrë vitet e fundit na duken pak”, tha Haxhiu.
Ajo bëri thirrje që institucionet e drejtësisë të ndërmarrin të gjitha masat për adresimin e krimeve të luftës.
“Prandaj, me këtë rast, unë i thërras institucionet e drejtësisë që të ndërmarrin veprime e të mos ndalin angazhimin për adresimin e krimeve të luftës. Tashmë fatmirësisht ka edhe dënime të personave që kanë dhunuar seksualisht gjatë luftës, ka edhe shumë hetime e aktakuza. Në këtë rast më duhet të falënderoj zonjën Feride Rushiti për punën e madhe që ka bërë në këtë drejtim, por edhe të gjitha organizatat që në fakt e kanë zëvendësuar shtetin, sepse është shteti ynë që është dashur që të merret që nga përfundimi i luftës me këtë çështje, por që shumë vonë janë ndërmarrë veprime që ndërlidhen me fuqizimin e institucioneve të drejtësisë, me rritjen e numrit të prokurorëve në strategjinë për drejtësinë tranzicionale, me gjykimin në mungesë po ashtu”, tha Haxhiu.