Albulena Haxhiu del para gjykatës, deklarohet e “pafajshme”.
Në seancën e rigjykimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të enjten, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputeti Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu, janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzën për posedim të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës më 2016.
Fillimisht, të pandehurit deklaruan se nuk kanë nevojë të lexohet aktakuza.
E pandehura Kadaj-Bujupi tha se nuk ka çfarë të shtojë ngase që 7 vite është deklaruar e pafajshme, ndërsa të akuzuarit Haxhiu, Lekaj dhe Baftiu u deklaruan të pafajshëm.
Më pas, kryetarja e trupit gjykues Fatime Dermaku tha se shqyrtimi gjyqësor vazhdon me fjalën hyrëse, ku prokurori Ilaz Beqiri deklaroi se mbetet pranë fjalës hyrëse të dhënë më parë.