Haxhiu pas vendimit në Hagë: Lufta e UÇK-së ishte çlirimtare, fjala e fundit juridike nuk është thënë

13:10 | 16 Shtator 2026

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu dhe kryetarja e Kuvendit, ka reaguar pas aktgjykimit të sotëm dënues ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit në Hagë.

Haxhiu e ka cilësuar aktgjykimin dhe dënimet e shqiptuara si “goditje të rëndë” për familjet e të dënuarve dhe si një moment të rëndë për Kosovën dhe shqiptarët.

Ajo ka shprehur mbështetje për familjet e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, duke thënë se ato prej vitesh kanë përjetuar mungesën, pritjen dhe pasigurinë.

“Fjala e fundit juridike nuk është thënë. E drejta e ankimit është pjesë e procesit dhe duhet të ushtrohet plotësisht”, ka shkruar Haxhiu.

Duke iu referuar luftës së UÇK-së, Haxhiu ka thënë se ajo ishte “çlirimtare” dhe se kishte lindur përballë, siç shprehet ajo, “shtypjes, dhunës dhe krimeve të regjimit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës”.

“Asnjë aktgjykim nuk mund ta ndryshojë natyrën e asaj lufte dhe as të zhbëjë të drejtën e një populli për të luftuar për lirinë e vet”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo ka thënë se respekti për drejtësinë nuk duhet të nënkuptojë heshtje për, siç e quan ajo, përpjekjet për “ta shtrembëruar historinë”.

Haxhiu ka kërkuar që dënimet e sotme të mos përdoren për të relativizuar krimet e regjimit të Serbisë apo për të krijuar, sipas saj, “një narrativë të rreme”.

“Këtë qartësi e presim edhe nga miqtë dhe aleatët tanë”, ka shkruar ajo.

Në fund, ushtruesja e detyrës së presidentes ka bërë thirrje për qetësi, dinjitet dhe bashkim.

“Dhimbja e kësaj dite nuk duhet të na ndajë”, ka thënë Haxhiu.

Komento: