Haxhiu për 148-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit: Ajo mbetet simbol i bashkimit, qëndresës dhe vetëdijes kombëtare shqiptare

11:29 | 10 Qershor 2026
haxhiu-per-148-vjetorin-e-lidhjes-se-prizrenit:-ajo-mbetet-simbol-i-bashkimit,-qendreses-dhe-vetedijes-kombetare-shqiptare

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka përkujtuar 148-vjetorin e themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duke e cilësuar atë si një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare dhe gurthemel të ndërgjegjes kombëtare.

Në një postim të publikuar në Facebook me rastin e kësaj date, Haxhiu tha se Lidhja Shqiptare e Prizrenit bashkoi shqiptarët në mbrojtje të trojeve, të drejtave dhe identitetit kombëtar.

“Lidhja është gjallë! Sot kujtojmë me nderim një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që bashkoi shqiptarët në mbrojtje të trojeve, të drejtave dhe identitetit kombëtar”, ka shkruar ajo.

Haxhiu rikujtoi se Lidhja u themelua më 10 qershor 1878 si përgjigje ndaj rrezikut të copëtimit të trojeve shqiptare pas vendimeve të Traktatit të Shën Stefanit dhe Kongresit të Berlinit, duke e cilësuar atë si organizimin e parë politik dhe ushtarak të shqiptarëve për mbrojtjen e interesave kombëtare.

“E themeluar më 10 qershor 1878, si përgjigje ndaj rrezikut të copëtimit të trojeve shqiptare pas vendimeve të Traktatit të Shën Stefanit dhe Kongresit të Berlinit, Lidhja shënoi organizimin e parë politik dhe ushtarak të shqiptarëve për mbrojtjen e interesave kombëtare. Nën udhëheqjen e Iljaz Pashë Dibrës dhe me kontributin e figurave si Abdyl Frashëri, Sami Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto e shumë patriotëve të tjerë, u hodhën themelet e lëvizjes moderne kombëtare shqiptare”, theksoi ajo.

Sipas Haxhiut, tri objektivat kryesore të Lidhjes ishin mbrojtja e tërësisë territoriale shqiptare, bashkimi administrativ i trojeve në një vilajet të vetëm dhe afirmimi i shqiptarëve si komb më vete.

“Veprimtaria e saj politike, diplomatike dhe rezistenca në Plavë, Guci, Hot e Grudë dëshmuan vendosmërinë e shqiptarëve për të mbrojtur trojet e tyre. Megjithëse u shtyp me forcë më 1881, idealet e Lidhjes mbetën gjallë dhe u bënë themel i rrugës drejt Pavarësisë së Shqipërisë më 1912. Ajo mbetet simbol i bashkimit, qëndresës dhe vetëdijes kombëtare shqiptare”, shkroi Haxhiu.

Ajo u shpreh se vepra e patriotëve të Lidhjes vazhdon të mbetet frymëzim për brezat e sotëm.

“Në këtë përvjetor, përulemi me respekt para veprës së patriotëve që sakrifikuan për kombin dhe kujtojmë se Lidhja Shqiptare e Prizrenit mbetet gurthemeli i ndërgjegjes sonë kombëtare dhe frymëzim i përhershëm për ruajtjen e identitetit dhe vlerave tona kombëtare”, shtoi Haxhiu.

Komento: