Haxhiu për protestat në Shqipëri: Kërkesat e studentëve të dëgjohen, arroganca vetëm i nxit protestat

12:36 | 19 Tetor 2026

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës Albulena Haxhiu, ka komentuar zhvillimet dhe protestat në Shqipëri, duke thënë se situata atje i shqetëson të gjithë qytetarët e Kosovës.

Haxhiu ka theksuar se Shqipëria është shumë e rëndësishme për Kosovën dhe se institucionet duhet t’i dëgjojnë e t’i trajtojnë kërkesat e protestuesve, veçanërisht ato të studentëve.

Ajo ka bërë thirrje që dhuna të ndalet nga të dyja palët, duke vlerësuar se protestat duhet të trajtohen me seriozitet dhe maturi nga institucionet.

Sipas Haxhiut, arroganca nuk ndihmon në zgjidhjen e situatës, por vetëm mund t’i nxisë edhe më shumë protestat.

Duke folur për mundësinë e përfshirjes së mbështetësve të Vetëvendosjes në protestat në Shqipëri, Haxhiu ka thënë se kjo nuk e bën partinë përgjegjëse për veprimet e tyre individuale.

Ajo ka theksuar se Vetëvendosje nuk mund të mbahet përgjegjëse në rast se ndonjë prej mbështetësve të saj vendos të marrë pjesë në protesta.

“Besoj që secili në Republikën e Kosovës i ka përcjellë zhvillimet në Shqipëri. Ajo çka po ndodh atje na shqetëson të gjithëve, sepse Shqipëria për ne është shtëpi. Është e rëndësishme që kërkesat e protestuesve të dëgjohen nga institucionet, t’i trajtojnë kërkesat e studentëve. Ne nuk e mbështesim dhunën. Dhuna duhet të ndalet nga të dyja palët. Është e rëndësishme qasja serioze ndaj protestave, jo arroganca. Arroganca vetëm i nxit protestat. Me maturi e seriozitet. Pjesëmarrja e ndonjë mbështetësi… Asnjëherë nga VV-ja s’ka pasur thirrje për t’i mbështetur protestat. Nuk i takon VV-së kjo. Nuk mund të mbahet përgjegjëse nëse mbështetësit tanë shkojnë dhe protestojnë atje”, ka thënë Haxhiu.

Komento: