Bekim Haxhiu ka thënë se vendimi i Kurtit për të shtyrë afatin për konvertimin e targave është zbutje dhe tërheqje e papërgjegjshme nga vendimi për targat, sjellje fëmijërore, antikushtetuese e antiligjore në përmbajtje.
“Strukturat paralele e kriminale që shumëherë i kanë gjuajtur me plumba policët shqiptarë të Kosovës, Albin Kurti ka marr vendim që t’i qortojë disa muaj. Kjo është tallje!”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Deputeti tha se me këtë tërheqje nga moszbatimi i vendimit të Qeverisë për targat, Kurti po inkurajon grupet kriminale në veri për t’iu rezistuar autoriteteve të Kosovës.
“Qeveria nuk qe në gjendje të ruaj autoritetin shtetëror vendimmarrës, dhe as raportet me partnerët ndërkombëtarë. Për afro 2 vite të Qeverisë Kurti kemi zero investime ne veri dhe zero kthim të shqiptarëve, zero përmirësim të sigurisë dhe zero përmirësim të mirëqenies për qytetarët tonë matanë Ibrit”, shkroi tutje ai.
Dje, Kurti propozoi shkallëzimin e sanksioneve për të gjithë ata që nuk konvertojnë targat ilegale serbe në ato të Republikës së Kosovës.
Nga 1 nëntori deri më 21 nëntor do të vlejë masa e qortimit. Nga 21 nëntori deri më 21 janar do të jetë në fuqi masa e gjobitjes dhe nga 21 janari deri më 21 prill do të ketë targa provuese.
Kurti tha se pas datës 21 prill nuk mund të ketë targa të tjera në Kosovë, pos atyre RKS.