Haxhiu për zgjedhjen e Presidentit: S’është koha për përplasje dhe për kërkesa të parealizueshme

13:21 | 02 Mars 2026

Pas mbledhjes së kryesisë, kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu, ka folur edhe rreth çështjes së zgjedhjes së Presidentit.

Haxhiu për këtë proces ka kërkuar bashkëpunim mes krejt partive politike.

Ajo deklaroi se për ta kaluar me sukses procesin e zgjedhjes së Presidentit/es duhet konsensus sepse asnjëra palë s’mund ta bëjë.

“Nuk është koha as për përplasje as për kërkesa të parealizueshme që e largojnë procesin nga thelbi i tij”, deklaroi para mediave e para e Kuvendit.

“Kushtetuta dhe aktgjykimi i Gjykatës është i qartë dhe kërkon 80 vota në kuti për dy raunde. Pra, për raundin e tretë në të dytë ndërsa për raundin janë tri raunde: raundi i parë, i dytë dhe i tretë. Por në raundin e tretë mund t’i kemi vetëm 61 vota për. Pra, ne është e rëndësishme që t’i kalojmë dy raundet e para me nga 80 vota në kuti, ndërsa raundi i fundit apo raundi i tretë mjafton që t’i kemi 61 vota për. Kjo do të thotë se fryma e saj është qartësisht frymë konsensusi. Asnjë palë e vetme nuk mund ta bëjë. Prandaj duhen diskutime të sinqerta, me kërkesa të arsyeshme dhe jo barrikada të së kaluarës. Si Kryetar i Kuvendit, mirëpres diskutimet dhe takimet që kanë nisur ndërmjet partive politike. Mbështes gjithashtu çdo përpjekje serioze për dialog konstruktiv ndërmjet palëve politike, me qëllim gjetjen e një kandidature që bashkon”, tha ajo.

“Kemi shumë punë përpara. Qytetarët presin rezultate, reforma, por edhe stabilitet. Zvarritja e proceseve apo futja e vendit në një cikël të ri zgjedhor do të ishte një kosto e panevojshme politike, por po ashtu edhe institucionale. Pra, edhe njëherë që t’i kthehem çështjes: Ne jemi pyetur se pse Kryesia e Kuvendit nuk po procedon me thirrjen e seancës për zgjedhjen e presidentit apo presidentes. Ne si Kryesi e Kuvendit nuk mund të veprojmë për sa kohë nuk kemi nominime, pra kandidatë të cilët i kanë nga 30 nënshkrime të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në momentin kur ne do t’i kemi, do të mblidhem”, u shpreh në fund e para e Kuvendit.

Komento: