Haxhiu përkujton Konushevcin dhe Malajn në 28-vjetorin e vrasjes së tyre

17:10 | 09 Maj 2026
haxhiu-perkujton-konushevcin-dhe-malajn-ne-28-vjetorin-e-vrasjes-se-tyre

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar sot 28-vjetorin e vrasjes së Heroit të Kosovës, Ilir Konushevci, dhe doktorit Hazir Malaj, duke vlerësuar kontributin e tyre në luftën për çlirimin e Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu shkroi se Ilir Konushevci ishte ndër veprimtarët që iu bashkua herët rezistencës kundër regjimit serb, duke marrë pjesë në përpjekjet për lirinë e vendit që nga fillimi i viteve ’90.

“Që në fillim të viteve ’90, Iliri iu bashkua përpjekjes për lirinë e Kosovës, në kohën kur vendi ishte nën dhunën dhe shtypjen e regjimit serb. Nga grupet e para të rezistencës, te lidhja me njerëzit e orëve të para të luftës, ai e zgjodhi herët rrugën e çlirimit. Kur UÇK-ja po rritej, Ilirit iu besua një nga detyrat më të vështira dhe më jetike, ajo e furnizimit me armë e municion. Rrugën Shqipëri, Kosovë e bëri dhjetëra herë, me vetëdijen se çdo dërgesë mund të vendoste fatin e një beteje”, shkroi ajo.

Haxhiu kërkoi po ashtu që rrethanat e vrasjes së tyre të zbardhen plotësisht, duke theksuar se drejtësia ua ka borxh familjeve, bashkëluftëtarëve dhe Kosovës.

“Më 9 maj 1998, Ilir Konushevci u vra bashkë me Hazir Malaj, në rrugën e një tjetër dërgese për UÇK-në. Rrethanat e vrasjes së tyre duhet të zbardhen deri në fund. Drejtësia ia ka borxh këtë familjeve të tyre, bashkëluftëtarëve dhe Kosovës. I përjetshëm kujtimi për Ilir Konushevcin dhe Hazir Malaj”, shkroi Haxhiu.

Komento: