Rasti i Astrit Deharit ende nuk është zbuluar tërësisht.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu nuk ka mundur t’i mbajë lotët në “DPT te Fidani” në T7, duke folur për vdekjen e aktivist të Vetëvendosjes, Astrit Dehari më 5 nëntor të vitit 2016 në burgun e Prizrenit, rast që ende nuk ka marrë epilog nga institucionet e drejtësisë.
Ajo ka thënë se rasti Dehari e preokupon atë deri në masën sa që s’mund ta bëjë as gjumin rehat.
“Diçka që s’më le rehat, diçka që… edhe gjumin s’e bëj rehat, është rasti Dehari. Është rast shumë i rëndë”, u shpreh ajo.
Ministrja Haxhiu ka thënë se rasti Dehari është më i rëndi në Kosovën e pasluftës.
“Konsideroj që rasti Dehari është rasti më i rëndë në Kosovën e pasluftës, për shkak se në 2016, kur kishte përpjekje nga pushteti i asaj kohe, për ta shpallur VV-në edhe terroriste, ishin arrestuar aktivistë të VV-së për veprime që bëheshin krejt nga dikush tjetër. Në mesin e tyre ishte arrestuar edhe aktivisti Astrit Dehari, vetëm për faktin se mendonte ndryshe nga të tjerët, në atë kohë ishte Demarkacioni dhe Zajednica”, ka deklaruar Ministrja Haxhiu.
Ajo ka shprehur bindjen e saj që aktivisti Dehari ka mundur të vritet kur të burgosurit e tjerë nuk kishin dalë ende në pushim gjatë ditës kritiek.
“Unë besoj që Astrit Dehari ka mundur të vritet para se të dilnin shokët e tij të burgut në pushim”, ka thënë ajo.
Ajo ka sqaruar edhe arsyet se përse ministria e saj, ka urdhëruar inspektimin e veprimeve të zyrtarëve që ishin marrë me rastin atë ditë.
“Astriti ka qenë në duart e shtetit, dhe në bazë të kësaj kam urdhëruar një inspektim në fillim të këtij viti, sepse nuk kam dashur të marr një vendim pa fakte. Kemi urdhëruar që të shihet se zyrtarët që kanë qenë atë ditë dhe ditëve në vijim, nëse të njëjtit i kishin kryer detyrat dhe përgjegjësitë si duhet. Raporti nga Inspektorati tregon se aty evidentohet shkelje të rënda të detyrave. Inspektimet janë kryer nga tre inspektorë të Ministrisë së Drejtësisë”, ka deklaruar tutje ajo.
Tutje, ajo ka thënë se një ndër shkeljet më të rënda ishte që inspektorët kishin marrë incizimet e burgut të asaj dite, para Policisë së Kosovës.
“Inspektorët kanë kosntatuar që shkelja e parë që është bërë që inspektori dhe të tjerët që e kanë hetuar rastin në atë kohë, i kanë marrë kamerat, incizimet e burgut, para policisë dhe realisht ata nuk kanë pasur të drejtë t’i marrin kamerat përmes USB-së. Ata kanë mundur t’i shohin, por jo t’i marrin. Shkela kryesore është që i kanë marrë incizimet para policisë”, ka thënë Haxhiu në “DPT te Fidani”.
Haxhiu ka thënë se ajo është e bindur që ministrja e atëherhshme e Drejtësisë, Dhurata Hoxha ishte urdhërdhënësja e marrjes së incizimeve të burgut.
Por, sipas Haxhiut, ka edhe elemente të tjera të shkeljes.
“Ka edhe elemente të tjerë… për shembull që dëshmitari kryesor, Naser Makolli është transferuar në Lipjan. Pastaj kontradikta në deklarata, me kënd kanë komunikuar zyrtarët. Kemi konsideruar që këtu ka elemente kriminale, prandaj e kemi dërguar në Prokurorinë e Shtetit”, ka deklaruar ministrja e Drejtësisë.
Sipas Haxhiut, që Astrit Dehari është vrarë, dëshmohet edhe nga raporti i Institutit zviceran dhe raporti i dy ekspertëve të pavarur.
“Ne gjithnjë kemi thënë që Astrit Dehari është vrarë. Konsideroj që raportet, sidomos raporti i Institut zviceran dhe ai i dy ekspertëve, kanë vlerësuar që nuk është vetëvrasje. Madje, raporti i Institutit zviceran ka konstatuar edhe përfshirjen e personit të tretë”, ka deklaruar Haxhiu.
Haxhiu ka thënë se me mbështetjen e familjes Dehari dhe Prokurorisë, mund të ftohen hetues ndërkombëtarë, për t’u ndihmuar institucioneve vendore për zbardhjen përfundimtare të këtij rasti.