Haxhiu po kërkon shkarkimin e Thaçit, por çfarë përmban dosja e atij tenderi

18:48 | 23 Prill 2021

Çfarë përmban dosja e tenderit për të cilin Albulena Haxhiu po kërkon shkarkimin e Nehat Thaçit.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu sot ka iniciuar procedurat e shkarkimit të drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK), Nehat Thaçi.

Kjo për shkak se nga kjo ministri është konstatuar se Thaçi ka shkelur ligjin duke dhënë në shfrytëzim një pronë të ministrisë për një kompani private.

Çfarë përmban tenderi për parcelën e MD-së në Vushtrri?

Për këtë çështje ministrja Haxhiu tha se kanë bërë edhe hetime edhe brenda ministrisë. Ajo deklaroi se kanë pranuar raportin e Auditorit të Brendshëm e ku sipas saj konstatohen këto shkelje nga Thaçi.

E pikërisht ndaj Thaçit, MD-ja sot gjatë ditës ka paraqitur kërkesë edhe tek Këshilli Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë që të shqyrtojnë veprimet e drejtorit Thaçi .

“Para disa ditëve ne kemi pranuar në kabinet disa informacione për shkelje brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës. Ne jemi informuar se në kuadër të ShKK-së janë lidhur kontrata të dëmshme dhe janë bërë transfere të paligjshme. Pas këtyre informatave ne kemi kërkuar nga Auditori i Brendshëm në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë që të bëjë një verifikim në lidhje me dyshimet për veprime në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Kontratat për të cilat kemi kërkuar raport-auditimi janë: dhënia në shfrytëzim e pronës së MD-së në Vushtrri, pra bëhet fjalë për dhënien në shfrytëzim të pronës publike të MD-së, një kompanie pa i plotësuar kriteret ligjore. Kjo kontratë është nënshkruar nga ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi dhe drejtori aktual i ShKK-së. Bëhet fjalë për mbi dy hektarë tokë që kanë qenë pronë e MD-së. Dje e kemi pranuar raportin e auditorit të brendshëm dhe në bazë të tij sot do të procedojmë kërkesën për ndërmarrjen e masave diciplinore ndaj drejtorit Nehat Thaçi. Kjo kërkesë do t’i drejtohet Këshillit Shtetëror për Vlerësimin dhe Diciplinë në kuadër të MPB-së”, ka thënë ajo në një konferencë për media.

Por çfarë përmban dosja për parcelën e MD-së në Vushtrri?

Dosja e tenderit ka të bëjë me dhënien me qira përmes ofertimit publik të parcelës pronë e MD-së me sipërfaqe 2 hektarë 12 ari e 17m2, me autoritet kontraktues Shërbimin Korrektues të Kosovës.

Data e përgatitjes së tenderit figuron me datë 29.07.2020.

E një ndër pikat ku MD-ja konsideron që ka shkelje ligjore është tek ai për përcaktimin e shumës së qiradhënies. Në dosje shihet se SHKK dhe MD kishin caktuar si kriter që qiraja të jetë minimum 1000 euro, por që objektin do ta merrte ai operator që ofron më së shumti për qira.

Sipas Haxhiut dhe zëvendësit të saj, vlera e kësaj parcele sillet prej 50 mijë deri në 100 mijë euro dhe qiraja është e ulët.

Sipas dojses, në rastin e nënshkrimit të kontratës ofertuesi duhet të bëjë pagesën e qerasë me parapagim 1 vjeçar dhe është e vlefshme 15 vite, me mundësi vazhdimi.

Kjo kontratë është finalizuar me 02.11.2020, duke i’u dhënë Jahë Osmanit B.I, me çmim 2.120 euro qira për një muaj ose për 14 vite 381.600.00 euro.

E lidhur me këtë tender zëvendësministri i drejtësisë, Blerim Sallahu, ka thënë se është dhënë në shërbim kundërligjshëm.

Ai konsideroi se edhe përfituesi i kësaj parcele nuk ka pasur as certifikatë të regjistrimit të biznesit deri në momentin e hapjes së ofertës.

“Një vendim i tillë është i kundërligjshëm dhe për qëllim ka përfitimin material për interesa të ngushta. Kështu janë vënë edhe kriteret për dhënie në shfrytëzim të kësaj prone. Kriteret kanë qenë: planin lidhur me veprimtarinë që planifikojnë ta zhvillojnë dhe certifikatën e regjistrimit të biznesit. Certifikata për fituesin është lëshuar me datë 17.08.2020 në orën 14:02, ndërsa hapja e ofertës është bërë po atë ditë rreth orës 09:00 të mëngjesit. Atë certifikatë pra ai nuk e ka pasur dhe e ka marrë pesë orë pas hapjes së afatit për ofertim”, ka thënë ai.

E ndaj këtyre pretendimeve të Haxhiut dhe Sallahut ka reaguar ish-ministri Selim Selimi.

Në një shkrim në “Facebook”, Selimi ka thënë se këto akuza që iu janë bërë sot janë krejtësisht me motive politike.

Ai madje i ka bërë thirrje Haxhiut që ta publikojë dosjen e plotë të kontratës së këtij tenderi.

“Më lejoni që të ju informoj, që rasti i tokës së ShKK-së është një proces i cili ka filluar para mandatit tim si Ministër. Ministrja Haxhiu e din këtë shumë mirë. Dhënia me qira e tokës ka ndodhur me ankand publik. Paratë shkojnë direkt në Shërbimin Korrektues. Tokën e kemi ruajtur, kemi mbrojtur shërbimin. Ftoj ministren që ne bazë të Ligjit për qasje në dokumente publike ta publikojë gjithë dosjen. Nëse nuk e bën këtë ministrja, do ta kërkoj zyrtarisht dosjen dhe do ta publikoj. Njëkohësisht një kopje do ta dorëzoj personalisht në Prokurori. Dosja e ankandit shumë vjeçar e konfirmon këtë gjë”, ka thënë ai.

Në ndërkohë Nehat Thaçi, ka deklaruar gjatë ditës se Ministrja e Drejtësisë̈ ka zgjedhur njeriun e gabuar për luftë politike.

“Unë jam profesionist dhe nuk merrem me politikë”, ka thënë Thaçi.

“Rasti për të cilin paska folur ministrja Haxhiu dhe zëvendësi i saj, është krejtësisht i pastër dhe i ligjshëm. Këtë e dëshmon dosja me dokumente zyrtare e ankandit publik. Për këtë proces , Ministrja ka qenë e njoftuar ne mandatin e kaluar dhe e cila ka pajtuar në parim për dhënien me qera të kësaj prone. Ky proces i nisur për te mirën e Shërbimit Korrektues ka rezultuar me përfitime për shërbimin në vlerë prej 500 mijë euro”, ka thënë Thaçi.

Ai tutje ka kërkuar nga ministrja Haxhiu që lëndën ta dërgoj në Prokurori përndryshe një gjë të tillë do ta bëjë vet ai.

“Dje e kam takuar ministren Haxhiu e cila ka shprehur respekt për punën time dhe te arriturat e Shërbimit Korrektues, por ka thënë se është e detyruar që të dërgoj ne komision disiplinor. Kërkoj nga ajo qe këtë lëndë ta dërgoje në prokurori, ndryshe do ta bëjë unë. Po ashtu ftoj të gjithë gazetarët që ta marrin lëndën e ankandit dhe ta publikojnë në tërësi”, tha tutje ai.

Komento: