Haxhiu: Rrethanat e vrasjes së Astritit enigmë, për shkak të mosveprimit të prokurorisë

22:26 | 04 November 2022

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu përmes një postimi në Facebook ka thënë se nesër bëhen bëhen gjashtë vjet pa Astrit Deharin.

Ajo është shprehur se rrethanat e rastit të tij kanë mbetur enigmë, sipas saj për shkak të mosveprimit të prokurorisë.

“Rrethanat e vrasjes së Astritit mbesin padrejtësisht enigmë, për shkak të mos veprimit të Prokurorisë.Janë të domosdoshme veprimet për zbardhjen sa më të shpejtë të rrethanave të vrasjes së Astritit, hetim i gjithanshëm që shoqërohet me efikasitet dhe rezultate që shfaqin të vërtetën, në bazë të provave dhe fakteve të pakonstestueshme të cilat janë në duart e organeve të ndjekjes”, thuhet në postimin e saj.

Haxhiu ndër të tjera u shpreh edhe se neglizhenca e prokurorisë po e vonon drejtësinë, përcjell Klankosova.tv.

“Brenda kompetencave të përcaktuara ligjore, si Ministri e Drejtësisë kemi kërkuar inspektim për rrethanat e rastit Dehari, me ç’rast pas gjetjeve të Raportit kanë rezultuar me pezullim personat: Ylber Topalli (ish-Kryeinspektor i ShKK-së); Destan Zogaj (ish-u.d. Drejtor i Qendrës së Paraburgimit në Prizren) dhe Burim Buleshkaj (ish-u.d. Drejtor për Siguri, Operativë dhe Transport të të Burgosurve në ShKK). Për më tepër, shkeljet e rënda e të shumta procedurale i kemi dërguar te Prokurori i lëndës, por nuk kemi asnjë informacion për epilogun e tyre, në kuptim të ndihmës për ecurinë e rastit”, ka shkruar ajo.

Ministrja e Drejtësisë tha se rasti Dehari nuk mund të zbardhet me pasivitet prokurorial.

“Zbulimi i saktë i çdo prove, përveç që vë drejtësinë për Astritin, dëshmon botërisht për fitoren e drejtësisë ndaj manipulimeve sistemike që rrodhën që në orët e para pas vdekjes së tij. Prokuroria duhet t’i vë në lëvizje të gjitha mekanizmat dhe instrumentet ligjore për ta përshpejtuar zgjidhjen e plotë të ngjarjes, me nxjerrjen e të gjithë përgjegjësve para drejtësisë. Astriti ishte aktivisti politik i ngritur, i përgatitur për jetën, për veprimtarinë kombëtare e politike, për shtetin dhe shoqërinë. Institucionet e shtetit duhet me doemos ta zbardhin rastin e tij, e shoqëria duhet ta kuptojë të vërtetën e plotë për Astritin”, thuhet tutje në postimin e saj.

Komento: