Haxhiu tregon se kur Presidenti Thaçi mund ta mandatojë kryeministrin

22:30 | 27 Dhjetor 2019

Albulena Haxhiu ka treguar se kur Presidenti Hashim Thaçi mund ta mandatojë kryeministrin.

Deputetja e betuar në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka sqaruar atë që thotë se po keqinterpretohet në publik lidhur me ftesën që ia ka bërë presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kryetarit të LVV-së Albin Kurti për ta mandatuar, dhe afatin për formimin e Qeverisë së Kosovës.

“Duke e parë që ka shumë paqartësi e keqinterpretime, po e bëj një sqarim procedural lidhur me veprimet pas konstituimit të Kuvendit. Së pari, afati për formimin e Qeverisë, nuk fillon të rrjedhë pas konstituimit të Kuvendit. Afati 15 ditor, fillon të rrjedh vetëm pas caktimit të mandatarit nga Presidenti”, shkruan ajo.

Tutje, shkruan Haxhiu, në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, neni 84.14 thuhet se Presidenti “cakton mandatarin për formimin e Qeverisë, pas propozimit të partisë politike …… që përbën shumicën në Kuvend”, shkruan koha.net.

“Poashtu në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese Nr.103/2014, në të cilin interpretohet Neni 84 paragrafi 14, saktësisht në pikën 68 të tij, shpjegohet qartazi se nuk është në diskrecion të Presidentit të propozojë apo mandatojë kandidatin për Kryeministër nga partia fituese sepse e vërteta është e kundërta e saj duke precizuar se Presidenti mandaton kandidatin për kryeministër vetëm PAS propozimit të partisë fituese”, shkruan Haxhiu.

Më poshtë, Haxhiu ka publikuar edhe referimin në Kushtetutë të Kosovës, siç shkruan ajo, “tek kompetencat e Presidentit dhe referimet në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”.

Komento: