Haxholli thotë se MPJD i dha vërejtje me shkrim për reagimet e tij ndaj Serbisë në mbrojtje të interesit shtetëror të Kosovës

14:53 | 04 Korrik 2024
haxholli-thote-se-mpjd-i-dha-verejtje-me-shkrim-per-reagimet-e-tij-ndaj-serbise-ne-mbrojtje-te-interesit-shteteror-te-kosoves

Ministria e Jashtme e Kosovës i ka dhënë vërejtje me shkrim, sekretarit të zyrës së Kosovës në Serbi, Fatmir Haxhollit.

Këtë e bëri të ditur vet Haxholli, i cili thotë se arsye të kësaj vërejtjeje që ka pranuar, janë deklarimet mbi zhvillimet të cilat politika serbe po bën në raport me kosovarët.

”Miq,

Për reagimet dhe deklarimet e mia të vazhdueshme në mbrojtje të interesit publik, qytetarë dhe para së gjithash në mbrojtje të interesit shtetëror, unë sapo mora një Vërejtje me shkrim nga MPJD. Njëherësh për dallim prej pafund rekomandimeve, referencave, e vlerësimeve, në MPJD dhe jashtë saj, kjo është Vërejtja e parë në përvojën time profesionale, institucionale. Uroj që kjo të jetë edhe e fundit.

Më duhet ta them që nuk kam pritur që duke qenë i zëshëm kundër veprimeve të Serbisë, do të vlerësohem apo avancohem në ndonjë mënyrë, dhe as që ka qenë qëllim i imi diçka e tillë, por më duhet ta them dhe ri-përsëris, që edhe sikur masa korrigjuese ndaj meje të ishte vet suspendimi dhe largimi nga MPJD, në asnjë rast, nuk ushqej asnjë dilemë, që në të gjitha komunikimet e mia paraprake, unë të veproja njësoj, përsëri.

Për fund, përderisa në Serbi bëhet garë se kush prononcohet më shumë dhe më ashpër kundër Republikës së Kosovës, pa asnjë argument dhe pa asnjë të drejtë, me mirëkuptim do t’i kërkoja hierarkisë së MPJD-së, porositësit dhe shqiptuesit,

se ku, kur dhe në cilin aspekt, deklarimet e mia kanë shkuar ndesh me mandatin e Zyrës dhe me prioritetet e MPJD-së.

Në mungesë të një arsyetimi eventual përmbajtësor, unë Vërejtjen ndaj meje me dokumente/dëshmi shoqëruese sikurse janë postimet e mia bashkëlidhur asaj, do t’i mbaj si Referencë dhe Rekomandim, e kësisoj nuk do t’i ankimoj juridikisht.

Ju falënderoj që së paku përmes Vërejtjes njohët punën time, sepse në një kulturë ndëshkuese dhe përjashtuese, do të befasohesha vetëm nga një mirënjohje a vlerësim!

Sqarim:

Për vërejtjen si informatë zyrtare që nuk prek dimensionin e politikës së jashtme, por vetëm personin tim, besoj që ja vlen që dikush t’i gëzohet idesë, që heshtja në diplomaci ka ndonjë vlerë!”.

Komento: