Eden Hazard mund të rikthehet sërish në Premierligë.
Belgu nuk ka arritur të dëshmohet te Real Madridi që nga transferimi i tij në vitin 2019, teksa ka luftuar me lëndime të vazhdueshme.
Hazard nuk është në planet e Carlo Ancelottit, teksa klubi spanjoll nuk dëshiron që të presë më shumë.
“Los Blancos” duan që ta largojnë sulmuesin belg në afatin kalimtar të dimrit.
Pavarësisht një mesazhi të fortë për tifozët për vendosmërinë e tij për të ndryshuar situatën, 31-vjeçari nuk ia doli.
Dhe, sipas “El Nacional”, Hazard konsideron se koha e tij në Real Madrid ka përfunduar dhe tashmë është në kërkim të një destinacioni të ri.
Gjithashtu, thuhet se ai tashmë e ka njoftuar Thibaut Courtois, mikun dhe bashkëlojtarin e tij se do të largohet në janar.
Hazard synon të regjistrojë paraqitje të mira me Belgjikën në Kupën e Botës në mënyrë që niveli i klubit të ardhshëm të jetë i lartë, gjë që do t’i garantonte një pagë të mirë. Synimi i tij është të rikthehet në Premierligë.
Klubi më i interesuar për momentin raportohet se është Newcastle United, që pas blerjes nga Mohamed Bin Salman po ndërton një ekip të madh me synimin për të konkurruar me gjigantët anglezë. Gjithashtu raportohet se bisedimet kanë nisur.
Newcastle është gati të paguajë 20 milionë euro për transferimin e reprezentuesit të Belgjikës, çmim që besohet se do të pranohet nga Florentino Perez, presidenti i Real Madridit.
Një tjetër klub i interesuar për Eden Hazardin është Aston Villa, e cila pasi “shpëtoi” Coutinhon nga Barcelona, dëshiron të bëjë të njëjtën gjë edhe me Hazardin.