Kanë mbetur pak muaj deri në ditën e zgjedhjeve nacionale në vend.
Padyshim se këto zgjedhje përpos rëndësisë që kanë për qytetarët, aq rendësi kanë edhe për partitë politike e liderët e këtyre partive.
Shumë prej zyrtarëve partiak në vend veçse kanë filluar ti “përvjelin mëngët”, e të bëhen gati për 9 shkurtin e vitit 2025.
Anipse jo zyrtarisht, duket qartë se Lidhja Demokratike e Kosovës ka nisur me shumë seriozitet fushatën zgjedhore.
Lideri i kësaj partie, Lumir Abdixhiku thuajse çdo ditë ka zgjedhur nga një komunë apo fshat përkatës për t’u takuar me banorët e asaj ane. E natyrisht se përkrah tij në të gjitha këto takime është nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.
Haziri përpos që shprehet i bindur në qëndrueshmërinë e LDK-së si parti, nuk e sheh as të arsyeshme lidhjen e ndonjë koalicioni.
“Ne e kemi koalicionin me qytetarët e Kosovës dhe ky koalicion me qytetarët e Kosovës do të na jap mundësi me u rikthy si parti e parë kryesore me marrë mandatin për të themelu qeverinë me kryeministër Lumir Abdixhiku”.- Kështu ka deklaruar nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri për lajmi.net.
Haziri ka thënë se partia e tij është gati për t’u rikthyer e për të fituar dhe njëherë besimin e qytetarëve.
“Që nga 19 nëntori i vitit 2023, LDK-ja ja ka qartësu politikat editoriale, ka bo zgjedhje te brendshme dhe ka konfirmu që me 10/tshin e Lumir Abdixhikut do te jetë e gatshme në çdo kohë që do ketë zgjedhje. Tash më 9 shkurt janë vendos zgjedhjet dhe ne në fazën përgatitore kemi vizitu qendrat kryesore të qyteteve të Kosovës, mobilizimi dhe reagimi i qytetarëve është jashtëzakonisht i besueshëm dhe ndryshimi nën udhëheqjen e Lumir Abdixhikut po ndodh. Ne besojmë që deri më 9 shkurt të krijojmë shumicën e nevojshme për parti e parë në Republikën e Kosovës. Rikthimi i madh do të ndodhë “ ka thënë Haziri.
Haziri u shpreh se nga rezultatet e sondazheve që kanë marrë deri më tani janë në favor të LDK.
“Nuk mund të paragjykojmë rezultatin me numra tash se sondazhet janë vetëm për perceptim publik, nuk është votim. Ne besojmë që perceptimi publik po ndryshon në favor të LDK-së dhe do të arrijmë me punu për rritje të këtij perceptimi. Ju e keni pa që ne nuk kemi ndërtu koalicione parazgjedhore, nuk kemi bo koalicione me funksionerë të partive të tjera politike as ato ideologjike. Ne e kemi koalicionin me qytetarët e Kosovës dhe ky koalicion me qytetarët e Kosovës do të na jep mundësi me u rikthy si parti e parë kryesore me marrë mandatin për të themelu qeverinë me kryeministër Lumir Abdixhiku.” u shpreh Haziri.
Haziri deklaroi se LDK ka qenë mjaftë aktive gjatë qeverisjes aktuale, madje duke evidentuar problemet nga të gjitha fushat.
“Po natyrisht, nëse e bajmë një raport krahasues me qeverisjen aktuale të kryeministrit Kurti dhe Vetëvendosjes, LDK-ja ka arrit që me identifiku problemet sektoriale që nënkupton gjendjen me ekonominë, gjendjen në arsim, në shëndetësi dhe në të gjitha sektorët kryesor të cilët nuk janë vetëm indikatorët për zhvillim por është dhe për mirëqenien e qytetarëve në veçanti”.
Tutje ai shton se mision kryesor i LDK-së është që të krijojë politika që siguron jetë më të mirë të qytetarëve të Kosovës.
“Tani me 5% rritje ekonomike që do të shkakton një buxhet prej 5 miliardësh dhe me një program të investimeve publike poashtu prej 5 miliardësh duke i ditë qartë se cilat janë programet, mënyra se si do të organizohen këto politika ne do të arrijmë me shkaktu rritje të mirëqenies të qytetarët e Kosovës dhe me ndryshu gjendjen në Kosovë duke e bë vend të jetueshëm, vend dhe atdhe për të gjithë qytetarët pa dallim. Dhe lirinë e saj pavarësinë e saj do ta garantojmë ashtu siç e ka pas një rol historik LDK-ja dhe tani”,tha Haziri.
E sa i përket qeverisjes aktuale Haziri pati kritika për të, ku tha se “Vetëvendosje si shumicë politike me listën Guxo së bashku ja ka huq krejt”. Sipas tij gjatë kësaj qeverisje Kosova ka pasur ngecje në të gjitha proceset që janë ndërtuar ndër vite.
“Vetëvendosje si shumicë politike me listën Guxo së bashku ja ka huq krejt, nuk ka arrit me zbatu asgjë nga ajo që ka premtu dhe ka bo gjithçka që nuk ka fol apo nuk ka thanë është marrë 99 % me procesin e dialogut me Serbinë dhe ai proces i tillë është përcjell me ngërçe dhe reagime të njëanshme prej të dy palëve dhe si të tillë Kosova ka stagnu. Përkundër kësaj Vetëvendosja ka ndërtu marrëdhënie të tensionume brenda shqiptarëve, ka fragmatizu faktorin politik, nuk ka dialog politik nuk ka komunikim normal me shtet fqinje ka sjellë sanksione financiare prej BE-së apo raporte të tensionune me NATO-në apo SHBA-në. Gjithçka që është mendu me i rujt deri në kornizat e mëhershme është degradu dhe ky degradim nuk mundet me kalu pa u ndëshku.” u shpreh ai.
Krejt në fund Haziri beson se 9 shkurti do jetë kthesë e madhe për LDK-në ku dhe gjithë këto probleme aktuale do të rregullohen me ardhjen e LDK-së në pushtet.