Lutfi Haziri thotë se LDK po kthehet fuqishëm me ushtarët e Rugovës.
Kryetari i komunës së Gjilanit që është përfolur si kandidat i mundshëm i LDK-së për Kryeministër ka takuar 980 anëtarët e shtabit zgjedhor të partisë në Gjilan.
Haziri ka shkruar se ushtarët e Ibrahim Rugovës janë çu në kambë, për rikthimin e LDK-së.
“980 anëtarët e shtabit zgjedhor të LDK’së në Gjilan, nëndegët, gratë e burrat, të rinjtë e të rejat, komisionerët, vëzhguesit dhe ushtarët e Ibrahim Rugovës janë çu n’kambë, për rikthimin e madh të LDK’së”, ka shkruar Haziri.
Haziri u shpreh se ai sërish u bë figurë unifikuese duke thënë se marrëveshja politike e propozuar nga ai do ta rikthejë LDK-në në parti të parë.
Haziri gjatë takimit është shprehur se në këto zgjedhje do të rikonfirmohet bastioni i partisë së Ibrahim Rugovës në Gjilan.
““LDK e Gjilanit në shtab zgjedhor nga sot i ka 980 anëtarë për të udhëhequr procesin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, për t’u rikonfirmuar bastioni i LDK’së në Gjilan dhe Anamoravë. Në bashkëpunim me kryetarët e Degëve në këtë regjion, do të shkaktojmë ngritje të mbështetjes qytetare, madje edhe përtej LDK’së. LDK, jo vetëm që është shpresë për këtë vend, por është dera e vetme që e ruan këtë shtet dhe këto institucione që janë ndërtuar me sakrificë dhe me gjak”, tha kryetari Haziri gjatë takimit me strukturat e partisë
Të gjitha strukturat e Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan kanë rikonfirmuar unitetin dhe mbështetjen e madhe ndaj kryetarit Lutfi Haziri në të gjitha proceset.