Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë që edhe në vazhdim ata që kanë besuar në kryeministrin Albin Kurti do të shokohen nga ai.
“Ju kam paralajmëruar, do të shokohen besimtarët e Kurtit, s’keni pa akoma asgjë”, ka shkruar Haziri në Facebook.
“Krejt jeta publike e Kurtit, kryeministrit në largim, përshkruhet me sofizëm, mashtrime e keqinterpretime të realiteteve, me qëllimin e vetëm – pushtetin, pa i zgjedhur mjetet”.
Sipas Hazirit, kryeministri mashtroi edhe mbrëmë kur tha se është bërë fushatë propagandistike rreth çështjes së doracakëve për edukimin seksual.
“Edhe mbrëmë, për kushedi të satën herë, Kurti tentoi ta keqinterpretojë realitetin, duke u viktimizuar se janë bërë cak i fushatës propagandistike, por në fakt edukimi seksual është pjesë e ideologjisë së tij dhe ky doracak skandaloz është bërë me qëllim”.
“Ata që kanë besuar se mund të jenë edhe me Zotin e edhe me komunistat, kanë gabuar. Tragjedia më e madhe është se një pjesë jo e vogël e hoxhallarëve një ateist e kanë shpall myfti e vetën të auto-xhematizuar!”
“Por, e mira është që nuk ka asgjë më fantastike se realiteti. Me propagandë ke ardh dhe prej propagandës ke me shku. Rruga e Re për Kosovën, në krye me prof. dr. Lumir Abdixhiku, tashmë është përqafuar nga shumica e kosovarëve sepse ne besojmë Zot, Familje e Atdhe. LDK, besë dhe shpresë për Kosovën!”