Ditëve të fundit po përflitet për një koalicion mes LDK-së dhe VV-së.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka folur për mundësinë e një koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje, dhe për dakordimin mes këtyre partive edhe për postin e kryeministrit.
Ai iu është përgjigjur edhe deklaratave të kreut të VV’së, Albin Kurti, se këto dy parti së bashku mund të arrijnë 70 deputetë.
“Nëse ngjallet Ibrahim Rugova, po, i bëjmë – por situata politike në Kosovë nuk e lejon të dalin numra aq të mëdhenj. Me partnerë të vegjël, e të gjithë bashkë, ndoshta i bëjmë. Kjo do të ishte shumë pozitive, pasi më nuk do të ishim peng i partive që shantazhojnë”, ka thënë Haziri.
Sa i përket postit të kryeministrit, Haziri ka thënë se për LDK’në kjo nuk është çështje primare.
“Ne nuk jemi ekskluziv në këtë punë. Ne themi se partisë së parë i takon kryeministrit, jo partisë së dytë. Ne jemi partia e parë edhe në Kuvend, edhe në sondazhe edhe kudo. Nëse duam të pengojmë bashkëpunimin, arsye gjejmë gjithmonë. Nuk është pika e kryeministrit që na ndan apo na bashkon. Për këtë çështje, merremi vesh për 5 minuta”, ka thënë Haziri tutje.