Haziri godet VV-në: Jargiten dhe e thyejnë kurrizin para varrit të Rugovës, në Gjilan ia ndalin aktivitetin

18:31 | 21 January 2023

Kryetari i degës së LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, sot ka akuzuar partinë në pushtet se e kanë larguar Akademinë e Ibrahim Rugovës nga manifestimi ‘Flaka e Janarit’.

Gjatë një ceremoni në Gjilan për nder të ish-presidentit Rugova në 17 vjetorin e vdekjes së tij, Haziri tha se punën e parë që e ka bërë Vetëvendosje është largimi i këtij manifestimi.

“Sa herë që ne kemi ndryshuar pak, këta punën e parë që e bëjnë është me e goditë figurën e Ibrahim Rugovës. Edhe për së vdekuri po iu pengon. Edhe vitin e kaluar tentuan, por arritëm ta parandalojmë. Këtë vit e bënë, në fakt me porosi. Përderisa shkojnë jargiten, e thyejnë kurrizin para varrit të tij në Prishtinë, në Gjilan ia ndalin aktivitetin. Por, e mira e madhe është se në këtë demokraci të Kosovës është që familja e tij, besimtarët e tij, njerëzit e tij, paqësorët e rugovistat e tij s’e lënë kurrë vetë dhe do të qëndrojnë gjtihmmonë edhe familjes tij edhe partisë tij bashkë”, tha ai.

Për këtë manifestim, Haziri tha se është shpirtëror dhe trashëgimi në kalendarin kombëtar.

“Ne datat nuk mundemi t’i ndryshojmë, sepse Skënderbeu ka vdekur në janar, edhe Ibrahim Rugova ka vdekur në janar edhe Rexhep Mala dhe shumë të tjerë. Ne i kemi nderuar të gjithë pa dallim. Neve po na dallojnë. Por, ne e dimë se kjo komunë s’ka kryetar, dhe do të mundohemi ta ruajmë këtë pak demokraci të zhvilluar”.

Haziri në këtë ceremoni përkujtimore kritikoi edhe kryetarin aktual të Gjilanit nga LVV, Alban Hyseni.

“Ne në Gjilan e kemi parë që Gjilani ka mbetur pa kryetar. Jo pse ne po mundemi ta themi, por sepse Gjilani udhëhiqet nga dikush tjetër – nga zëvendësministra, këshilltarë të tyre e nga grupe joformale”.

Komento: