Haziri ‘injoron’ Hotin, iu gëzohet vizitave të zyrtarëve të AAK-së

21:36 | 28 Korrik 2020

Lutfi Haziri bllok Avdullah Hotit, iu gëzohet vizitave të zyrtarëve të AAK-së.

Raportet mes nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, dhe homologut të tij partiak, njëherësh kryeministër i vendit, Avdullah Hoti, vazhdojnë të jenë të ftohta.

Haziri duket se ia ka bërë “bllok” Hotit.

Haziri, i cili udhëheq Komunën e Gjilanit, po injoron Hotin, teksa i është gëzuar vizitave të zyrtarëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

“Pata kënaqësinë ta t’i pres në takim dy miqtë e mi, ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuqi dhe zëvendësministrin Rexhep Kadriu”, ka shkruar Haziri në Facebook.

“I njoftova lidhur me përballjen me pandeminë, gjendjen ekonomike në këtë periudhë dhe procesin e investimeve që janë duke u realizuar dhe atyre që janë në planifikim”, është shprehur ai.

“Mora konfirmimin për mbështetjen në finalizimin e dy pjesëve të lumit Mirusha, finalizimin e projektit përmes Bankën Botërore për ndërtimin e liqenit akumulues që do të zgjidh problemin afatgjatë të furnizimit me ujë të pijshëm, në një vlerë pre rreth 70 milionë euro, projektin e efiçiencës së energjisë elektrike, parqet publike, trajtimin e lumenjve dhe projekte tjera madhore. Falëmnderit!”, ka shkruar Haziri.

Nënkryetarët e LDK’së Lutfi Haziri dhe Avdullah Hoti nuk po pajtohen për mënyrën se si po menaxhohet pandemia nga qeveria që udhëhiqet prej LDK’së.

Haziri ka kritikuar ashpër nënkryetarin e zgjedhur rishtazi të LDK’së që drejton qeverinë Avdullah Hotin për menaxhimin e pandemisë Covid-19 në nivel vendi.

Kryetari i Gjilanit ka thënë qeveria e Avdullah Hotit nuk ka koordinim me kryetarët e komunave, dhe situata me Covid-19 është jashtë kontrollit.

Komento: