
Për të gjashtën mbrëmje radhazi, qytetarë janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në shenjë kundërshtimi ndaj aktgjykimit dënues të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në mesin e protestuesve ka folur edhe organizatori i protestës, Çlirim Haziri, i cili në fjalimin e tij ka theksuar se tubimet do të vazhdojnë dhe se kërkesat e protestuesve lidhen me veprimin institucional të institucioneve të Kosovës.
Haziri, i cili është edhe djali i një dëshmori të luftës së UÇK-së, ka nisur fjalimin duke iu drejtuar protestuesve si “vëllezër dhe motra”, duke vënë theksin te fakti se kjo ishte nata e gjashtë e protestës.
“Sonte është nata e gjashtë. Gjashtë net këtu, në këtë shesh. Gjashtë net që po vijmë, pa u lodhur, pa u ndalur. Dhe sonte, nga Haga, na erdhi një mesazh. Presidenti Hashim Thaçi, nga atje ku po mbahet, na ka dërguar të fala. Na ka falënderuar për qëndresën tonë në këtë shesh dhe ka thënë se ju, qytetarët që po vini këtu natë pas nate, jeni bërë zë i fuqishëm kundër padrejtësisë”, tha ai.
Duke iu drejtuar Thaçit, Haziri ka thënë se mesazhi i protestuesve ka arritur deri në Hagë, duke përmendur studentët, të rinjtë, familjet e dëshmorëve, veteranët dhe qytetarët që kanë marrë pjesë në protestë.
“President, të kemi dëgjuar! Zëri i këtij sheshi ka mbërritur deri në Hagë. Zëri i studentëve tanë. Zëri i rinisë sonë. Zëri i familjeve të dëshmorëve. Zëri i veteranëve. Zëri i secilit qytetar që për gjashtë net rresht ka ardhur këtu. Dhe ky zë do të vazhdojë të dëgjohet”, u shpreh ai.
Haziri ka deklaruar se protesta, sipas tij, nuk është organizuar për interesa të një partie politike, por për shkak të qëndrimit të protestuesve ndaj UÇK-së dhe historisë së luftës në Kosovë.
“Sepse ne nuk kemi dalë këtu për një parti politike. Nuk kemi dalë për pushtet. Nuk kemi dalë për interesa personale. Kemi dalë sepse besojmë se UÇK-ja dhe historia e luftës sonë janë më të mëdha se secila parti”, shtoi Haziri.
Një pjesë të fjalimit, organizatori ia ka kushtuar kërkesave të protestuesve drejtuar institucioneve të Kosovës. Ai ka përmendur edhe kërkesën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Dhe prej ditës së parë kemi pasur kërkesa konkrete. Kemi kërkuar që institucionet e Republikës së Kosovës të mos heshtin. Kemi kërkuar që Kuvendi të veprojë. Kemi kërkuar ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara”, tha ai.
Haziri ka komentuar edhe iniciativën e PDK-së për ndryshimin e këtij ligji, duke u bërë thirrje deputetëve të Kuvendit që, siç ka thënë ai, të veprojnë së bashku, pavarësisht përkatësisë partiake.
“Por dëgjojeni mirë: Kjo nuk është çështje e PDK-së! Kjo nuk është çështje e një partie! Prandaj sonte u bëjmë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës: Uluni bashkë! Mos e shikoni kush e ka propozuar. Mos e shikoni logon e partisë. Shikojeni kërkesën!”
Sipas Hazirit, qëllimi i protestuesve nuk është marrja e meritave politike, por veprimi institucional.
“Nëse një parti e ka bërë hapin e parë, të tjerat le ta vazhdojnë. Sepse ne nuk kërkojmë se kush do t’i marrë meritat. Ne kërkojmë veprim institucional! Ky shesh nuk kërkon ndarje. Ky shesh kërkon bashkim. Sepse këtu nuk na ka bashkuar partia. Na ka bashkuar UÇK-ja!”, u shpreh tutje ai.
Haziri ka thënë se protesta do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, ndërsa e ka përmbyllur fjalimin me thirrje për Kosovën, UÇK-në, dëshmorët dhe drejtësinë.
“Prandaj vazhdojmë. Me dinjitet. Të bashkuar. Edhe sonte. Edhe nesër.
KOSOVA NUK HARRON!
UÇK NUK ËSHTË VETËM!
LAVDI GJAKUT TË DËSHMORËVE!
LAVDI USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS!
DREJTËSI!”
Ndërkaq, një tjetër folës ishte edhe Trim Syla, i cili foli për rezistencën e shqiptarëve.
“Populli ynë historikisht nuk e ka duruar padrejtësinë. Nuk e ka duruar nënshtrimin. Sa herë që armiqtë tanë kanë menduar se mund të na zhdukin nga faqja e dheut, bijtë dhe bijat e Kosovës kanë rezistuar dhe i kanë dalë zot vendit të vet. Nga ky shesh i lirisë, ky organizim i yni e dëshmon qartë se ne nuk dorëzohemi. Sepse nuk ka gjykatë, nuk ka institucion, nuk ka njeri që mund ta dënojë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Nuk ka gjykatë që mund ta njollosë pastërtinë e luftës sonë të drejtë për liri dhe pavarësi. Nuk ka gjykatë që mund ta shkelë gjakun e dëshmorëve që dhanë jetën për atdheun tonë”, tha Sylaj.