Lutfi Haziri thotë se po punojnë që të shkojë bashkë me VV-në e me Vjosën kandidate të përbashkët.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, duke folur para gazetarëve së bashku me kandidaten për kryeministre nga radhët e kësaj partie, Vjosa Osmanin, ka thënë që liderët e partive janë duke punuar që të krijohet një koalicion parazgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje. Por siç duket , LDK’ja tashmë e ka vendosur, me apo pa VV’në, posti i kryeministrit nuk negociohet.
Haziri gjithashtu i ka bërë thirrje aktivistëve dhe zyrtarëve të partive që të përmbahen me deklaratat e tyre dhe t’ia lënë këtë punë liderëve të partive që ta negociojnë.
“Është një format që ne kemi filluar që ta bisedojmë në nivelin e liderëve. Unë e Osmani e mbështesim arritjen e një marrëveshje politike. E kemi vullnetin dhe dëshirën. Unë do të apeloja që të jemi të përmbajtur nga deklarime të tilla. Është proces të cilin liderët po e dërgojnë drejt zgjidhjes më të mirë për qytetarët” tha Haziri.
Ai i ka bërë thirrje edhe pjesëtareve të Lëvizjes Vetëvendosje që ta pranojnë Vjosa Osmanin si kandidate për kryeministre, duke thënë se nuk duhet të dyshohet në kapacitetet e saja politike e profesionale.
“LDK’ja ka besim të plotë, kapaciteti politik e profesional i Vjosa Osmanit është përtej çdo hezitimi që mundet ta ketë dikush nga kampi i Vetëvendosejs” shtoi ai.
Haziri gjithashtu ka treguar se Vjosa Osmani, përveç që është kandidate për kryeministre, ajo gjithashtu është zgjedhur edhe nënkryetare e partisë.
Ndërsa Lutfi Zharku është zgjedhur sekretar për buxhet, financa dhe ekonomi.
Vjosa Osmani, dje u konfirmua si kandidatja e LDK’së për kryeministre të vendit. Ajo u sfidua nga Lutfi Haziri, i cili në fund vendosi që ta përkrahte atë.