Haziri thotë se Serbia po synon që ndarjen e Kosovës ta bëjë nëpërmes lumenjve

22:55 | 08 March 2019

Çështja mes Kosovës dhe Serbisë po vazhdon të komentohet.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri vazhdon t’i qëndrojë mbrapa idesë së tij të dhënë vite më parë, që Presheva, Bujanoci dhe Medvegja t’i bashkohen Kosovës, por shton se në asnjë mënyrë nuk pranon që shkëmbimi i territoreve të jetë zgjidhje.

Sipas tij, definimi i kufijve mund të bëhet vetëm në parimin e kufijve komunal e ku, siç thotë Haziri, Kosova duhet që disa fshatra të Leposaviqit dhe të Zubin Potokut t’ia kthejë Serbisë në mënyrë që të arrihet në zgjidhjen që po kërkohet.

“Në asnjë mënyrë unë nuk pranoj që shkëmbimi i territoreve është zgjidhje. Por, marrja e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës në parimin që e thash, në parimin e kufijve komunal dhe parimin që Kosova disa fshatra të Leposaviqit dhe të Zubin Potokut t’ia kthejë Serbisë është zgjidhja, më e drejtë që mund të realizohet….” – ka thënë Haziri.

Ai madje ka treguar se Serbia po synon që ndarjen e Kosovës ta bëjë nëpërmes lumenjve e jo në vargmale.

“Në të dy rrethanat Serbia po lufton që me e faktu aspiratën e tyre që kufiri i tyre të jetë në lumenj e jo në vargmale apo në Moravë të Preshevës ajo që quhet ‘Valley’ ose Lugina që po quhet sot, sepse është term më i madh gjeografik sesa Lugina. Pjesa e Medvegjës për shembull, është në kufij me pjesën e Prishtinës dhe pjesërisht Kamenicës dhe të Llapit. Janë vargmalet e Gollakut. Është terriotrialisht e ndarë prej Bujanocit, por nëse arrijmë me e faktu në parime që eventualisht rregullohen nesër kufijtë, këto parime janë të pandryshueshme atëherë mund të vije një zgjidhje racionale dhe e pranueshme për të dy palët.

Në të kundërtën, aspirata me zbrit në Lumin Ibër dhe në Moravë të Gjilanit, si tendencë të cilën Serbia sot e ka, është e pa papranueshme dhe e ‘sakaton’ Republikën e Kosovës në funksionin e saj, në thelbin e saj.” – ka shtuar Haziri në ‘BlicInterview’.

Komento: