Haziri thotë se zhurmaxhinjtë politikë po e duan mbylljen e partisë së Rugovës: T’i tmerrojmë me rezultat

17:08 | 30 January 2021

Haziri: Zhurmaxhinjtë politikë po e duan mbylljen e partisë së Rugovës, t’i tmerrojmë me rezultat.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka thënë se kundërshtarët politikë të tyre po duan përsëri shuarjen e këtij subjekti politik. Në fjalën e tij gjatë një takimi, ku i pranishëm është edhe kandidati i LDK’së për kryeministër, Avdullah Hoti, Haziri, ka thënë se kundërshtarët e tyre politik gjithnjë e kanë gjetur në radhët e tyre dikë për ta bërë këtë – duke aluduar në Vjosa Osmanin.

“E kanë gjet dikë gjithmonë që ka dalë përballë frymës sonë. Tmerroni me punë. T’i tmerrojmë me rezultat. Më 2007 na kanë shpallë parti të mbyllur. E kemi përballuar atë situatë dhe jemi dëshmuar me rikthimin e madh. Tash po duan më zhurmë politike të na shpallin të mbyllur. T’i demantojmë”, ka thënë Haziri.
Ai ka thënë që rivalëve duhet të ju tregohet vendi me punë dhe me angazhim.

“Rivalëve tanë ju tregojmë vendin me punë dhe angazhim. Mos u bëni aleat me të keqin. Demantojeni zhurmën e fabrikuar politike. Po duan të mbyllin partinë e Ibrahim Rugovës, themeluesit të shtetit”.

Më tutje Haziri ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka pranuar ekzistencën e shtetit të Kosovës.

“Nuk e kanë pranuar Republikën e Kosovës as më 17 shkurt. Kanë dashur ta djegin këtë Republikë. Ne kemi vendos t’ia vazhdojmë mandatin Hotit dhe Qeverisë që ka marrë përgjegjësinë që ta kthejë shpresën dhe besën. Zhurmaxhinjtë politikë dhe ata që sillen me arrogancë do t’ua tregojmë vendin më 14 shkurt. Ne nuk bëhemi copë-copë. Këdo që kanë mundur ta gjejnë një kundërshtar të LDK dhe Rugovës e kanë futur në listë. Po duan të vinë në puthet që ta rrënojnë republikën. Nuk mund ta shohin as ëndërr. Mbetemi gardianë të kësaj republike”, ka deklaruar ai.

Komento: