Hekuran Murati akuzon opozitën se po tenton t’i kursej para bizneseve, me kërkesën për tatimin në pronë

18:32 | 28 January 2023

Murati akuzon opozitën se po tenton t’i kursej para bizneseve, me kërkesën për tatimin në pronë.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se opozita po e kundërshton propozimin që secilit tatimpagues t’i falen deri në 100 euro të faturës së tatimit në pronë, pasi sipas tij, me kërkesën e opozitës që të kthehet vlerësimi i vjetër, janë biznesmenët, ndërtimtarët e tregtarët, ata që do të paguanin mijëra euro më pak për tatimin në pronë.

“Janë me qindra biznesmenë, ndërtimtarë e tregtarë, ku me vlerësimin që po kërkon opozita, secili do të paguante mijëra euro më pak. Sidomos bizneset ndërtimore, të cilat kanë në pronësi me qindra banesa që i mbajnë pa shitur, në mënyrë që artificialisht të mbajnë çmimet e larta për banesa”, ka shkruar Murati në Facebook.

Tutje Murati renditi disa shkak-pasoja që do të ndodhnin, me propozimin e opozitës/LDK-së.

“95% e tatimpaguesve nuk do të përfitonin nga falja e tatimit në pronë; Nëse e marrim vetëm një rast të një biznesmeni ndërtimtar, me vlerësimin e vjetër do të paguante 27 mijë euro më pak tatim sesa me vlerësimin e ri – raste të tilla ka shumë; Një tjetër pronar marketesh, me vlerësimin e vjetër që po e kërkon LDK, do t’i binte të paguajë rreth 70 mijë euro më pak”, shkroi ministri.

“Pra, qytetarë të dashur, kushdo që me të vërtetë ka hallin e qytetarëve, e mbështetë propozimin që secilit t’i falen deri në 100 euro nga fatura e tatimit në pronë. E ata që kanë hallin e biznesmenëve e ndërtimtarëve, e mbështesin propozimin e opozitës që të MOS u lehtësohet barra 95%-shit, por të mbrohen ndërtimtarët e tregtarët”.

Shefi i kuletës së shteti tha se si Qeveri, shumë shpejt do ta dërgojnë ligjin në Kuvend, i cili do të përfshijë edhe dispozitën e faljes së faturës së tatimit deri në 100 euro për vitin 2023, si dhe do të rrisim fleksibilitetin e komunave dhe do të bëjë tatimin progresiv për vitin 2024 e tutje, ashtu që, ata që kanë më pak të paguajnë më pak, ndërsa ata që kanë më shumë, të paguajnë më shumë, siç u shpreh ministri Murati.

Komento: