Zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, sot hodhi akuza ndaj deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri, se ky i fundit e kërcënoi atë.
Për këtë, ‘dëshmitar’ doli ministri i Financave, Hekuran Murati. Ai tha se “mundet ta konfirmojë atë që e tha Besnik Bislimi”.
“Pak minuta më parë isha edhe unë dëshmitar dhe mund ta konfirmoj atë që e tha zvkryeministri Bislimi, se pas mbylljes së mikrofonit duke u kthyer nga foltorja në ulësen e tij, deputeti Abelard Tahiri kërcënoi dhe shajti zv/kryeministrin e parë Besnik bislimi. Ftoj prokurorinë se ishte kërcënim, nuk ishte vetëm gjuhë joparlamentare. Ftoj prokurorinë ta marrë shumë seriozisht kërcënimin e një personi që ka mbajt armë me shurdhues për kaq vite. Tash kush është në këtë siklet po shihet qartë, dikush që detyrohet me shajt e kërcënu, e realisht me i përdor argumentet që po i përdor Vuçiqi kundër Qeverisë së Republikës së Kosovës, me të vërtet po shihet që jeni në siklet të madh”, tha Murati.
Bislimi tha se Haxhiu pasi e përfundoi fjalën, iu drejtua atij me “një sërë kërcënimesh”.
“Deputeti Abelard Tahiri nxori një sërë akuzash për ministren Haxhiu, ndërkaq pasi u mbyll mikrofoni në stilin e një banditi që i vendos shurdhuesin armës së tij u kthye kah unë dhe shprehu një sërë kërcënimesh, të cilat pastaj i shoqëroi me sharje dhe fyerje nga ulësja e tij. Do të doja që Prokuroria të merret me këtë rast”, tha Besnik Bislimi.