Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, nuk ka dalë sot para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, për shqyrtimin e Raportit të Auditorit të Përgjithshëm për Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Kosovës për vitin 2021.
Sipas kryetares së Komisionit, Hykmete Bajrami, megjithëse tash e 10 ditë më parë ministri Murati ka konfirmuar ardhjen, në mbledhje nuk ishte prezent.
“Asnjë njoftim nuk ka pasur nga stafi i Ministrisë së Financave. Sot një njoftim e kemi parë në media se ministri Murati është në Shqipëri, përkatësisht në portin e Durrësit”, tha ajo.
Bajrami dyshon se mosprezenca e Muratit mund të jetë një skenar.
Pas kësaj pati një përplasje mes deputetëve të shumicës.
Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ka thënë se është e pakuptimtë që të shqyrtohet raporti pa prezencën e ministrit Murati.
Në këtë komision, Beqa ngriti çështjen se në atë raport ka të gjetura për t‘u dërguar në prokurori.
Ai gjithashtu ka përmendur edhe ndaljen e pagave për grevistët.
Deputetja e VV-së, Mirlinda Sadiku ka arsyetuar mungesën e Muratit dhe i ka quajtur paragjykime deklaratat e kryetares Hykmete Bajrami.
Edhe pse mbledhjen e Komisionit e mbylli kryetarja Bajrami, vazhdimin e mbledhjes e vazhdoi nënkryetarja Arta Bajraliu nga Lëvizja Vetëvendosje.