Heldt kërkon që Kosova të ketë shpejt qeveri funksionale

18:07 | 22 July 2019

Ambasadori gjerman kërkon që Kosova të ketë shpejt qeveri funksionale.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, ka thënë se është e rëndësishme që Kosova së shpejti të ketë qeveri funksionale.

Në një përgjigje dhënë Radios Evropa e Lirë, lidhur me dorëheqjen e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj nga pozita që ka, Heldt ka thënë se Gjermania respekton, “pavarësinë e Dhomave të Specializuara dhe vendimin e kryeministrit Haradinaj”.

“Kosova vazhdon të ketë përballë sfida të rëndësishme politike, në veçanti dialogun politik me Serbinë dhe reformat e brendshme politike. Është e rëndësishme që Kosova së shpejti të ketë një qeveri funksionale”, është shprehur ndër të tjera ambasadori gjerman.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqje të premten nga pozita që ka pasi ka marrë ftesë për intervistim nga Gjykata Speciale në Hagë, në cilësinë e të dyshuarit.

Gjatë ditës së hënë ai përmes një letre i ka njoftuar krerët e institucioneve dhe liderët e partive politike të përfaqësuara në Kuvend, për vendimin e tij.

Komento: