Henry: Dua ta shoh Messin duke e përfunduar karrierën te Barcelona, ai nuk u largua si duhet.
Legjenda franceze e futbollit, Thierry Henry, ka thënë se do të dëshironte ta shihte Lionel Messin duke e mbyllur karrierën e tij te Barcelona.
Argjentinasi, i cili aktualisht luan për Paris Saint-Germainin, ka një kontratë me klubin francez deri në qershor të këtij viti, teksa e ardhmja e tij është ende e paqartë, transmeton Gazeta Express.
Duke folur si analist në “Amazon Prime Video”, Henry shprehu dëshirën e tij për të parë Messin të kthehet në Barcelonë, ku ai fitoi trofe të shumtë dhe u vendos si një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.
“Unë do të doja ta shihja atë të përfundojë karrierën e tij te Barça, është një dëshirë. Nuk po them se ai duhet të largohet nga PSG ose të mos largohet nga PSG. Jam i lumtur që e shoh në ligën franceze. Por, ngacmimet herën e fundit nuk ndihmuan. Trembëdhjetë gola, trembëdhjetë asistime (në Ligue 1 këtë sezon), po flasim për lojtarin më të mirë aktual në botë, në rregull?”, tha fillimisht legjenda e Arsenalit.
Henry, i cili luajti së bashku me Messin te Barcelona nga viti 2007 deri në 2010, përmendi dashurinë e tij për sportin dhe kontributet e 35-vjeçarit në Barcelonë si arsye për qëndrimin e tij.
“Ka të bëjë me dashurinë e lojës, për atë që ai bëri për këtë klub. Ai nuk u largua ashtu siç duhej. Është diçka që ende më shqetëson dhe mendoj se e shqetëson edhe atë”, shtoi 45-vjeçari.
Messi u largua nga Barcelona në vitin 2021, duke i dhënë fund lidhjes 21-vjeçare me klubin katalanas. Pavarësisht largimit të tij, ai mbetet një nga lojtarët më të mëdhenj në historinë e Barcelonës, duke fituar 10 tituj të La Ligës, shtatë Kupa të Mbretit dhe katër tituj të Ligës së Kampionëve.
Shtatë herë fituesi i “Topit të Artë” është i lidhur me një rikthim në “Camp Nou” pas përfundimit të sezonit aktual, me zëvendës-presidentin e Barçës, Rafa Yuste, që pranoi ditë më parë se janë bisedime për një rikthim të mundshëm të “pleshtit”.