Ideja për heqjen e kufijve ka ngjallur debat në Samitin e Brdo-Brijoni në Tiranë.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka qëndruar dje në Tiranë, ku ka marrë pjesë në Samitin e Brdo-Brijoni. Atje ka takuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, me të cilin thotë të ketë diskutuar për heqjen e plotë të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, dhe gjithashtu bashkimin e Luginës së Preshevës me territorin e Republikës së Kosovës.
E duket se këtij takimi Thaçi-Rama, janë munduar t’i përgjigjen Aleksander Vuçiq e Millorad Dodik me një fotografi të përbashkët nga Tirana, ku shihen duke pirë kafe.
Fotografinë e ka publikuar vetë presidenti serb në rrjete sociale ndërsa mediat serbe e quajnë një takim mes vëllezërve në Tiranë.
Vuçiç dhe Dodik kanë mbërritur mbrëmë në kryeqytetin shqiptar dhe sot marrin pjesë në Samitin e Brdo-Brionit në kryeqytetin e Shqipërisë.
Lëvizja Vetëvendosje ka protestuar një ditë më parë kundër pranisë së tyre në Shqipëri. Lideri i republika Serpska, Dodik, prej vitesh është në listën e zezë të SHBA për rrezikun që ai paraqet ndaj procesit të paqes në Bosnje Hercegovinë.
Dodik gjithashtu njihet edhe për retorikën e tij nacionaliste anti-shqiptare. Ai nuk njeh shtetin e Republikës së Kosovës, dhe kohëve të fundit që është folur për korrigjim të kufijve Kosovë-Serbi, Dodik ka thënë se do të bëjë përpjekje edhe për ndarjen e Bosnjës për t’u bashkuar me Serbinë.
Dje presidenti Thaçi kishte lëshuar një deklaratë për të ngacmuar liderët serbë të cilët po marrin pjesë në Samitin e Brdo-Brijonit në Tiranë.
“Sapo zhvillova një takim me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, ku mes tjerash biseduam për domosdoshmërinë e hapjes së plotë të kufirit Kosovë-Shqipëri dhe krijimin e një hapësire shqiptare pa kufi, nën ombrellën euroatlantike. Në këtë takim ngritëm nevojën e korrigjimit të padrejtësive historike, duke bashkuar faktorin shqiptar rreth sensibilizimit të së drejtës të bashkëngjitjes së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me territorin e Republikës së Kosovës”, kishte shkruar Thaçi pas takimit me Edi Ramën.