Heqja e taksës, Kosova ia sheh “hajrin” sepse rritet shitja e produkteve vendore

14:28 | 06 February 2019

Çështja e taksës kundër Serbisë mbetet tema më e diskutuar.

Kryeministri Ramush Haradinaj, ka vizituar fabrikën e “Vipa Chips” me ç’rast tha se shitjet në këtë fabrikë janë rritur qysh prej vendosjes së taksës ndaj produkteve të Serbisë.

Haradinaj po ashtu tha se është e rëndësishme që në këtë fabrikë janë qindra të punësuar. Ndërsa shtoi se taksa prej 100% e vënë ndaj produkteve serbe, ka ndikuar në rritjen e shitjes se këtij produkti vendor.

“Mund të krenohemi me këto produkte. Eksportohen në Gjermani e Suedi dhe tregje shumë të avancuara. E mora vesh që është rritë shitja e produkteve që nga vendosja e taksës ndaj Serbisë”, ka thënë Haradinaj.

Njëherësh, Haradinaj potencoi problemin që ka kjo fabrikë lidhur me energjinë.

“Ekziston ende një problem që është energjia. Këta duhet ta ndërtojnë trafostacionin e vet. Shpresoj që edhe këtu t’i japim përkrahje që të mos ta kenë koston kaq të lartë të energjisë”, ka thënë Haradinaj.

I pyetur nga gazetarët duke cituar presidentin Hashim Thaçi se a do të ketë korrigjim të lehtë kufijve në marrëveshjen me Serbinë, Haradinaj ka mohuar një gjë të tillë.

“Me i thënë Bedriut (pronari i VIPA-s) me ia korrigju ndonjë arë nuk pranon t’i luajë megjat. Pra, nuk do ndodhë ashtu, Kosova është e gatshme për një marrëveshje që i rregullon të gjitha por jo një për kufijtë, ka thënë Haradinaj.

Kurse pronari i fabrikës “Vipa”, Bedri Kasumi, tha se gjatë vizitës e njoftoi kryeministrin me sfidat që ka kjo kompani dhe pritshmëritë nga qeveria.

“U diskutua edhe çështja e taksës, për prodhuesit vendorë është vendim shumë i qëlluar. Por ne duam që edhe barkodi jonë të pranohet në treg”, ka thënë Kosumi.

Pas takimit me Kosumin, Haradinaj ka inspektuar fabrikën ku prodhohen çipsat dhe ka provuar produktet ‘Vipa’.

Po ashtu, gjatë kësaj vizite u theksua se produktet e ‘Vipa Chips’ prodhohen nga patate vendore.

Komento: