Presidenti i Kosovës, ka kërkuar nga Haradinaj që të hiqet taksa kundër Serbisë.
Nënkryetari tjetër i AAK’së, Pal Lekaj, ka thënë se vendimi për mos heqjen e taksës me Serbinë nuk cenon raportet e Kosovës me Amerikën.
Në këtë mënyrë, Lekaj i është përgjigjur Presidentit Hashim Thaçi, i cili kërkoi nga Qeveria që të dëgjohet këshilla e SHBA’së për heqjen e takës.
“Të gjithë jemi krenarë për miqësinë që e kemi me Amerikën. Vendimet e institucioneve shtetërore, siç është ky për taksën, nuk e rrezikojnë miqësinë dhe koordinimin që e kemi që dhjetëra dekada me SHBA’në”, ka thënë Lekaj, për Express, të shtunën.
Qeveria Kosovës kishte marrë vendim për taksë ndaj produkteve serbe e boshnjake pasi Serbia kishte nisur një fushatë kundër njohjeve të Kosovës.
Fillimisht ishte vendosur taksa 10 për qind për t’u vendosur në fund të vitit të kaluar në 100 për qind.
SHBA ka kërkuar pezullimin e menjëhershëm të taksës.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar sot të dëgjohet këshilla e amerikanëve. Ka thënë se SHBA nuk e ka të pakushtëzuar përkrahjen për Kosovën. Madje, ka thënë se për teke të ndonjë lideri s’bën të rrezikohet partnertiti i Kosovës me SHBA’në.
Lekaj ka thënë se askush s’mund t’i lëvizë raportet Kosovë-Serbi. Ka thënë se Ramush Haradinaj vetëm sa i ka thelluar këto raportet me amerikanët.
“Ashtu siç e kemi çliruar, e ndërtuar shtetin e Kosovës, bashkë me Amerikën do të vazhdojmë t’ua ruajmë sovranitetin nga jashtë dhe të zhvillojmë brenda. Miqësia jonë me Amerikën është e ndërtuar në themelet e dy popujve, të cilën vështirë se mund ta lëkund dikush. Kryeministri e ka dëshmuar në vazhdimësi bashkëpunimin me SHBA për të mirën e dy popujve”, ka shtuar ai.
Edhe Blerim Kuçi, ka thënë se taksa me Serbinë ka arritur efektet në aspektin politik dhe ekonomik.
Mirëpo, nuk ka dashur të komentojë nëse Qeveria e Kosovës duhet të pezullojë përkohësisht taksën siç kanë kërkuar amerikanët.
“Si deputet, taksa i ka arritur efektet. Ka qenë njëri prej potezave, jo vetëm në aspektin ekonomik, por i ka dhënë dinjitet Kosovës. Duhet të shfrytëzohet maksimalisht në raport me Serbinë”, ka thënë Kuçi, për Gazetën Express.
Departamenti i Shtetit, në fund të vitit të kaluar i kishte shkruar Kryeministrit të Kosovës që të heq taksën.
Është përsëritur e njëjta kërkesë drejtuar udhëheqësve të Kosovës edhe nga Ambasada në Prishtinë. Është thënë se Amerika kërkon pezullimin e menjëhershëm të taksës.
“Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar prej lidershipit të Kosovës në mënyrë të përsëritur që të pezullojë menjëherë taksën për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina. Siç kemi thënë, ne nuk shohim ndonjë përfitim të Kosovës nga këto masa. Ne fuqishëm inkurajojmë ripërtëritjen e fokusimit në qëllimet thelbësore të Kosovës- të ardhmen evropiane dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës amerikane, dërguar “Kohës Ditore”.