Nuk ka asnjë garanci për heqjen e vizave në qershor.
Zyrtarët shtetëror vazhdimisht kanë dhënë afate për liberalizimin e vizave të cilat kanë rezultuar të pa sakta.
Ndonëse zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian (BE) kanë kërkuar në vazhdimësi që të mos jepen data sa i përket kohës se kur mund të ndodhë liberalizimi i vizave, liderët e institucioneve të Kosovës nuk po rreshtin së bëri një gjë të tillë.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi bashkë me kryeministrin Ramush Haradinaj kanë deklaruar gjatë ditës së djeshme se vendimi për heqjen e vizave do të ndodhë në qershor të këtij viti.
Qershori sipas tyre është afati opsional kur procesi i liberalizimit mund të finalizohet, shkruan Gazeta “Zëri”.
Por njohësit e procesit të integrimit vlerësojnë se nuk mund të dihet saktë se kur do të hiqen vizat nga BE-ja.
Rrjedhimisht, siç ata janë shprehur, nuk është aspak e sigurt nëse liberalizimi ndodh në qershor, në fund të këtij viti ose edhe më tutje.
Gjasat që të ketë vendim mbi këtë çështje para zgjedhjeve për Parlament Evropian (PE) sipas njohësve të proceseve integruese janë minimale.