Heqja e vizave për Kosovën në një fazë vendimtare, liberalizimi sot temë diskutimi në Këshillin Evropian

09:10 | 13 October 2022

Këshilli Evropian nis sot procedurat që mund të çojnë në një vendim formal për liberalizimin e vizave për Kosovën. Çështja e lëvizjes së lirë për kosovarët do të jetë sot në rend dite në diskutimin e parë të grupit punues të Këshillit të BE-së.

Këtij diskutimi i ka paraprirë publikimi gjatë ditës së djeshme i Raportit të Progresit për Kosovën i Komisionit Evropian.

Në këtë raport, Komisioni Evropian rikonfirmon përfundimin e vitit 2018 se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave.

Raporti tregon se Kosova ka bërë përpjekje për forcim të demokracisë, rendit e ligjit si dhe në luftën kundër korrupsionit.

Por, aty kritikohet puna e Kuvendit, e cila sipas raportit ka vazhduar të ndikohet negativisht nga një atmosferë e polarizuar politike.

Në raport thuhet se nuk është arritur ende përparim konkret në dialogun Kosovë – Serbi.

KE-ja kërkon nga palët e përfshira që të angazhohen në mënyrë konstruktive pa vonesë në arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme.

Gjatë pranimit të këtij raporti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së djeshme tha që është optimist për liberalizmin e vizave.

Në anën tjetër, Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, në një konferencë për media lidhur me Raportin e Progresit për Kosovën tha se liberalizmi i vizave për Kosovën nuk do ndodhë sot. Sipas tij, para një vendimi përfundimtar do të ketë diskutime.

“Sigurisht është e rëndësishme që Këshilli do fillojë diskutimin për këtë temë pasi nuk është bërë që nga viti 2018, ky është diskutim në nivel të grupit punues. Nuk do merren vendime, do ketë diskutime. Diskutimi nuk është vendim final, liberalizimi nuk do ndodhë nesër”- tha ai gjatë ditës së djeshme.

Komento: