Ministria e Infrastrukturës hesht përballë kërkesës për heqjen e monopolit në homologim.
Shfuqizimi i udhëzimit administrativ që përcakton kushtet dhe procedurat për homologimin e mjeteve rrugore është kërkuar nëpërmjet rezolutës së Kuvendit të Kosovës, të miratuar dy javë më parë, shkruan sot Koha Ditore.
Thirrje Qeverisë për t’i dhënë fund monopolit në homologim i kanë bërë edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, e edhe shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova.
Por pavarësisht këtij fronti të gjerë anti-monopol, si dhe vlerësimit se me të po cenohen tregu i lirë dhe konkurrenca, Ministria e Infrastrukturës ende nuk ka marrë vendim nëse do ta mbajë në fuqi udhëzimin administrativ, apo do t’u përgjigjet pozitivisht kërkesave për ndryshimin e tij.
Udhëzimi Administrativ në fuqi ia mundëson kompanisë “EuroLab” që këtë shërbim ta kryejë e vetme në Kosovë edhe për 10 vjetët e ardhshëm.