Hetimet rreth biletave të ndeshjeve të Kosovës, flet prokurori

21:21 | 19 June 2020

Prokurori flet për hetimet rreth biletave të ndeshjeve të Kosovës.

Prokurori dhe kryetari i Këshillit Kombëtar për luftimin e dukurive negative në sport, Besim Kelmendi ka thënë se asnjë gur nuk është lënë pa lëvizur në hetimet e nisura për biletat e ndeshjeve të Kombëtares së Kosovës, ndërsa tha se tashmë janë vërejtur përmirësimet e para.

Numri i madh i të interesuarve për ta parë ekipin kombëtar të Kosovës nga afër në stadiume ka bërë që të ketë probleme të shumta gjatë procesit së shitjes së biletave.

Biletat kanë dalë edhe në treg të zi me çmime shumëfish më të shtrenjta sesa ato zyrtare.

Ndërsa, në tentim për t’i dhënë fund kësaj, Federata e Futbollit të Kosovës e ka praktikuar formën e shitjes së biletave përmes një sistemi online.

Por, as pas fillimit të shitjes së biletave online, problemet nuk janë zgjedhur. Ankesat vazhdimisht kanë qenë prezente, ndërsa ka nisur të ketë dyshime edhe me këtë sistem.Duke i marrë parasysh ankesat e vazhdueshme dhe të mëdha të qytetarëve, Prokuroria i kishte nisur hetimet dhe tani Kelmendi ka treguar se deri ku kanë shkuar këto hetime.

“Për këtëështë biseduar shumë dhe ju e keni parë që gjendja ndryshoi për ndeshjen e fundit. Nuk ka ndodhur më si në ndeshjet paraprake, pasi që policia është aktivizuar shumë shpejt, me kërkesë edhe të Prokurorisë dhe të Këshillit”, ka thënë Kelmendi.

“Të jeni shumë të sigurt se nuk ka mbetur gur pa lëvizur për ta parë se ku janë shkeljet për shitjen e biletave. Përgjegjësinë do ta mbajë secili individ, qoftë ai në Federata, në Prokurori apo Polici, për ta gjetur shkakun”.

“Nuk mund të flas shumë për këtë sepse nuk jam prokuror i rastit sepse nuk e kam të drejtë apo këtë autorizim, por hetimet kanë filluar sipas kërkesës tonë dhe do të shkojnë deri në fund”.

Komento: