Hetuesit e Speciales që katër orë në shtëpinë e Jakup Krasniqit, a do ndodhë arrestimi i tij sot?

10:19 | 04 Nëntor 2020

Mëngjesi i sotëm nuk nisi zakonshëm në shtëpinë e ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi.

Ky i fundit, aktualisht po përballet me policinë e EULEX-it dhe hetuesit e Speciales, të cilët që nga ora 06:00 e mëngjesit shkuan në shtëpinë e tij, shkruan lajmi. net.

Ajo që nisi si bastisje, nuk dihet nëse do përfundojë me arrestimin e Krasniqit.

Nga Haga kanë konfirmuar se sot janë duke u kryer disa operacione në Kosovë, mirëpo nuk kanë dhënë detaje shtesë.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) aktualisht është duke kryer operacione në Prishtinë. Operacionet e ZPS-së po kryhen me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX). Më shumë informacion do të jepet më vonë”, kanë bërë të ditur nga Gjykata Speciale me anë të një komunikate për media.

Tashmë kanë kaluar katër orë që nga nisja e bastisjes në shtëpinë e Krasniqit, ku hetuesit e EULEX-it dhe Speciales kanë larguar edhe gazetarët që ishin afër shtëpisë së Krasniqit.

As bashkëpunëtorë të afërt të Krasniqit, të cilët kanë folur për lajmi.net nuk e dijnë se çfarë është duke ndodhur, apo cila është arsyeja e prezencës jashtëzakonisht të madhe në shtëpinë e Krasniqit.

Pranë shtëpisë se Jakup Krasniqit anë mbledhur një numër shumë i madh i gazetarëve të cilët po përcjellin me vëmendje zhvillimet.

Një skenar i ngjashëm kishte ndodhur edhe në rastin e krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, të cilëve fillimisht iu ishte bastisur selia, teksa më vonë ata edhe ishin arrestuar.

Komento: